Forumi botëror i investitorëve që po i shpërblen me çmime politikanët e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të hënën njoftoi se i është ndarë çmimi “Udhëheqësi më i mirë i Evropës Juglindore në mbështetjen e zhvillimit ekonomik përmes digjitalizimit”, nga Forumi Botëror i Investitorëve, që po mbahet në Stamboll të Turqisë.

“Këtë çmim ua dedikoj gjithë atyre vajzave e djemve inovatorë, që me dijen dhe vullnetin e tyre kanë zhvilluar shumë biznese në fushën e teknologjisë por edhe në fusha të tjera. Për vetëm 20 vjet kemi arritur të shndërrohemi nga një popull i të mbijetuarve në një popull inovatorësh”, kishte shkruar ndër të tjerash Veseli në Facebook, pas pranimit të çmimit.

Mirëpo përveç Veselit, me çmim në po të njëjtën organizatë ishte shpërblyer Qeveria e Kosovës në vitin 2017.

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Mustafa, Hykmete Bajrami, e cila e pati pranuar çmimin “Qeveria më e mirë në Evropën Juglindore për mbështetjen e ndërmarrësisë”, tha për KALLXO.com, se nuk kanë aplikuar, por kanë marrë ftesë si MTI, nga forumi në fjalë.

“Po e kemi marre këtë çmim si Qeveri. Nuk kemi aplikuar, kemi marrë ftesë si MTI dhe kemi marr pjesë dhe nuk kemi paguar asgjë.  Nominimi është bërë nga bizneset vendore. Ka qenë juria, e cila ka marrë parasysh të gjitha reformat fiskale dhe reformat tjera në të bërit biznes të cilat i ka vlerësuar dhe konfirmuar nga bizneset”, theksoi deputetja e LDK-së, Bajrami.

Ndërkaq,“World Business Angels Investment Forum”, është një organizatë ndërkombëtare që synon të lehtësojë qasjen në financa për bizneset.

“Duke pasur parasysh sfidat e ndryshme me të cilat përballet bota në shekullin e njëzet e një, është e rëndësishme të kuptohet se investimi i sipërmarrjes mund të ketë një ndikim të madh në të ardhmen tonë, duke ofruar mënyra të reja për të rritur mundësitë ekonomike dhe për të nxitur drejtësinë shoqërore”, thuhet në ueb-sajtin e këtij forumi.

Anëtarësimi i Forumit të Investimeve aktualisht përfshin disa kompani, sipërmarrje të korporatave, bursat, dhomat e tregtisë dhe industrisë, zyrat e transferimit të teknologjisë, qendrat e risive, bankat, agjencitë e zhvillimit rajonal, qendrat e inkubacionit, përshpejtimin qendrat, platformat e financimit të turmave, e të tjera.

Sipas të dhënave në ueb-faqe të kësaj organizate, thuhet se shumë anëtarë marrin pjesë në komunitetet e forumit, duke forcuar përfshirjen e tyre në ngjarjet e ndryshme të forumit dhe në projekte të veçanta.

Këtë vit, ky forum po mbahet në Stamboll të Turqisë, me 18 dhe 19 shkurt 2019, ndërsa përveç kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, nga qeveria e vendit ka marr pjesë edhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj.