Hulumtimi për fenë | Foto: KALLXO.com

'Fol Tash' Rekomandon Medium për Islamin Objektiv

“Portali Fol Tash” gjatë prezantimit të një hulumtimi për zhvillimet fetare në vend të kryer me ndihmën e stafit të tij, imamëve, ekspertëve dhe profesorëve rekomandoi krijimin e një radio-televizioni që do ttë predikonte islamin objektiv dhe do të luftonte rrymat radikale.

Imami Bekim Jashari që është kryeredaktor i portalit “Fol Tash” duke lexuar gjetjet e hulumtimit, tregoi se si u paraqitën në Kosovë elementët ekstremë dhe si duhet të bëhet deradikalizimi i tyre.

Jashari tha se para luftës imamët dhe përfaqësuesit fetarë ishin pjesë e përpjekjeve për liri dhe sipas tij në atë kohë nuk dihej shumë për përçarjet fetare në botën arabe.

“Xhemati në Kosovë dinte vetëm për Arabinë, Mekken dhe Qabenë”, tha Jashari, duke kujtuar kohën e paraluftës.

Hulumtimi të cilin e lexoi Jashari më tutje konstatonte se gjërat ndryshuan kur pas luftës shoqata të ndryshme nga vendet arabe- sidomos nga Arabia Saudite dhe Kuvajti erdhën në Kosovë, ndërsa krahas ndihmave humanitare, aplikuan edhe mësime fetare.

Në këtë kohë shumë njerëz sipas hulumtimit u dërguan nëpër vendet e botës arabe për të studiuar, ndërsa jeta fetare islame u zhvillua edhe nëpër zyrat e organizatave të tilla.

Këto organizata ndërtuan xhami të një stili krejt tjetër nga ato tradicionale në Kosovë, ndërsa filluan të emërojnë edhe imamë nëpër xhami.

“Fol Tash” këtë periudhë e konsideron “etapë paralele në raport me Bashkësinë Islame të Kosovës”.

Më pas në hulumtim bëhet e ditur se filloi të predikohet krejt ndryshe, ndërsa këtë mënyrë predikimi ithtarët e tij e cilësuan zgjim.

Pastaj organizatat e vendeve të lindjes u larguan nga Kosova, ndërsa vazhdimin e mënyrës së tillë të predikimit ua besuan të trajnuarve prej tyre.

Imami Jashari gjatë leximit të hulumtimit tha se përballja ushtarake me ISIS-in mund të përfundojë, por gjurmët e tij duhet të eliminohen.

Përveç Jasharit, në lidhje me hulumtimin foli edhe Shemsi Jashari nga organizata “Demokracia Fillon Këtu”.

“Fol Tash” në hulumtimin e tij dha edhe rekomandime se si të kryhet deradikalizimi.

Sipas këtij portali, duhet të mbikëqyren financimet e jashtme dhe të brendshme, ligjërimet fetare të jenë nën kujdesin e institucioneve të tilla, ndërsa ligjërimet gjithashtu të jenë unike si nëpër objekte fetare si në medie.

“Fol Tash” rekomandon edhe që të diplomuarit nëpër vendet arabe, para se të bëhen ligjërues t’i nënshtrohen një trajnimi, ndërsa t’u jepet hapësirë imamëve që nuk janë trajnuar nga përfaqësues të ideologjive të ndryshme.

Gjithashtu u rekomandua formimi i një trupe të përbashkët të bashkësive fetare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni që do ta luftonte radikalizmin.

Në Kosovë janë duke u zhvilluar disa procese gjyqësore kundër pjesëmarrësve në luftëra të huaja, ndërsa që nga përfshirja e disa kosovarëve në luftërat në Siri e Irak ka pasur dënime nga gjykatat për vepra që lidhen me terrorizëm.

Por Gazeta Jeta në Kosovë shkroi vitin e kaluar se nuk mjaftojnë vetëm dënimet për të luftuar ekstremizmin.