Pamje nga Takimi Ndërkombëtar i Lidershipit - Foto: Kuvendi i Kosovës

Fillon Takimi Ndërkombëtar i Lidershipit

Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë ka filluar punimet Takimi Ndërkombëtar i Lidershipit, në të cilin po marrin pjesë rreth 250 përfaqësues të shteteve nga të gjitha kontinentet.

Duke iu dëshiruar mirëseardhje në Kosovë të gjithë të pranishmëve, krykuvendari Veseli tha se ndihet i nderuar që gjendet në një mes të tillë dhe i kënaqur që Kosova është nikoqire e një takimi të përmasave të këtilla.

Pasi falenderoi të pranishmit për besimin e treguar ndaj shtetit të Kosovës, Veseli theksoi se falë tyre populli dhe shteti i Kosovës tani po qëndrojnë në këmbë të veta. Veseli shtoi se këto takime janë një shembull i mirë për të shpërfaqur lidhjet ndërnjerëzore dhe besimin ndaj njëri-tjetrit.

“Demokracia është ajo që na lejon t’i tejkalojmë dallimet tona. Këtu në Kosovë kemi përfshirë të gjitha pjesët e shoqërisë, si nga aspekti etnik, ashtu edhe religjioz. Megjithatë, për të arritur deri te demokracia, nuk ka qenë një rrugë e lehtë për Kosovën. Ballkani ka qenë një vatër lufte për një kohë të gjatë dhe në histori shpesh jemi përballur me rrezikun e zhdukjes. Brez pas brezi, njerëzit kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre. Por, përkushtimi ynë ndaj lirisë ka qenë më i fortë se sa dhuna. Ne besojmë në drejtësi dhe besojmë se nuk jemi të vetmuar, sepse kemi afër njerëz të mirë të cilët do të na ndihmojnë që të mbizotërojmë mbi terrin dhe prapambetjen. Jemi të kënaqur që këtu kemi njerëz si ju”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Duke cituar një thënie të Nënës Terezë se “të gjithë ne, nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të drejta”, kryetari Veseli e konsideroi të rëndësishme që të arrihet deri te pajtimi.

“Ne jemi këtu që t’u tregojmë edhe fqinjve rrugën drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme. Kosova është e përkushtuar në këtë drejtim. Me ndihmën e miqve, sikurse ju, ne mund të bëhemi ambasadorë të pajtimit dhe të tregojmë se të jetohet në paqe është natyrë njerëzore”, theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, kryeparlamentari Veseli.

Para fillimit të Takimit Ndërkombëtar të Lidershipit, kryetari Veseli takoi ish-guvernatorin e Karolinës së Jugut, ShBA, David Beasley, si dhe mysafirët nga Bundestagu, Josip Juratovic dhe Frank Heinrich.