Pamja festive në Ferizaj | Foto: KALLXO.com

Ferizaj Thyen Rekordin e Shpenzimeve për Dekorim

Zbukurimi i qendrës së qytetit dhe Sheshit “Adem Jashari” për festat e fundvitit si dhe fishekzjarrët që do të ndizen në kalimin nga 2016-ta në 2017-ën, sivjet Komunës së Ferizajt i ka kushtuar 15 mijë euro.

Vitin e kaluar për këtë qëllim kjo komunë kishte shpenzuar 10 mijë euro.

Harxhimet për festat i bëri të ditur për KALLXO.com, Mimoza Fazliu, drejtorja e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Ferizajt.

“Me këtë çmim përfshihen të gjitha zbukurimet e qytetit, po ashtu edhe fishekzjarrët që do të ndizen në natën e fundvitit në mesnatë, ndërsa kompania e cila është kontraktuar të bëjë zbukurimin e qytetit është kompania ‘Besa’ në Ferizaj,” tha Fazliu.

Drejtorja tha se në Ferizaj përveç zbukurimeve dhe fishekzjarrëve nuk do të ketë ndonjë aktivitet tjetër të organizuar nga komuna, përveç vizitës së kryetarit Muharrem Sfarqa nëpër disa nga institucionet e qytetit në natën e ndërrimit të moteve.

KALLXO.com shkroi sot se Komuna e Gjilanit për fishekzjarrë, dekorim e tri koncerte të fundvitit ka shpenzuar 9 mijë euro.

http://kallxo.com/gjilani-9000-euro-per-dekorim-fishekzjarre-e-koncerte/

Dje KALLXO.com shkroi se Komuna e Rahovecit ka dekoruar qytetin me 6 mijë euro, ndërsa Komuna e Malishevës nuk do të bëjë dekorime të tilla.

http://kallxo.com/malisheva-pa-dekorime-rahoveci-pak-shkelqim/

Pardje zyrtarë të Komunës së Shtimes i thanë KALLXO.com se qytetin do ta dekorojnë me materialet e vjetme dhe në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve.

http://kallxo.com/shtimja-stoliset-dekorimet-e-vjetme/

KALLXO.com ka sjellë me kamerat 360 shkallë atmosferën festive në disa nga qytetet kosovare.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri