"Dimri Kulturor 2020" - Foto Komuna e Prizrenit/Web faqe

"Dimri Kulturor 2020" - Foto Komuna e Prizrenit/Web faqe

Mbrëmje muzikore, ushqim e pije - rreth 35 mijë euro për "Dimrin Kulturor" në Prizren

Më 1 dhjetor, Komuna e Prizrenit nënshkroi një kontratë në vlerë 34,443 euro për ogranizimin e manifestimit “Dimri Kulturor”. Kontrata është nënshkruar me kompaninë “Sfinga SH.P.K”.

“Dimri Kulturor” në Prizren pritet të përfshijë mbrëmje muzikore për shtatë netë me grupe muzikore kurse për nëntë netë të tjera pritet të performojnë DJ. Do të ketë edhe shërbim të ushqimeve dhe pijeve në disa shtëpiza nga druri, të cilat janë të planifikuara me kontratë.

15 shtëpiza nga druri planifikohet që të përdoren nga gastronomët gjatë 18 netëve festive. Secila nga to i kushton kësaj komune 600 euro apo 9 mijë euro të gjitha së bashku. Këto shtëpiza do të vendosen në sheshin e “Lidhjes”.

Bina për këto ditë kushton 1 mijë e 350 euro kurse pajisjet e zërimit priten të kushtojnë 4 mijë e 500 euro.

Shtëpizat prej druri do të dekorohen. Atyre do t’iu vendosen drita, topa, pisha si dhe dekore tjera dimërore. Dekorimet për secilën nga 15 shtëpizat do të kushtojnë 80 euro.

20 euro kushton vendosja e një poçi elektrik dhe një prize në secilën nga 15 shtëpizat e drurit, që për të gjitha i bie se preket shifra prej 300 euro.

Për këtë manifestim, Komuna e Prizrenit ka kërkuar që të krijohet një event në Facebook dhe Instagram, i cili duhet të prekë së paku 3 mijë e 500 shikime në ditë për 30 ditë radhazi. Kjo kërkesë i kushton kësaj komuna 1 mijë e 500 euro, apo 50 euro në ditë.

Një baner me madhësi 6 metra me 2.5 metra që do të qëndrojë prapa binës pritet t’i kushtojë Prizrenit 200 euro.

Për këtë manifestim pritet të sigurohet edhe një bredh i cili kushton 700 euro.

Planifikohet që “Dimri kulturor” të mbulohet edhe me realizimin e videoincizimeve duke përfshirë edhe dronin që do të kushtojë 700 euro si dhe incizim tredimensional dhe realizim i “virtual tour”, e cila po ashtu pritet të kushtojë 700 euro.

“Sfinga SH.P.K” ishte operatori i vetëm ekonomik që aplikoi për këtë tender.

Komuna e Prizrenit ka hapur thirrje për shfrytëzimin e 15 shtëpizave nga druri.

Bizneset e gastronomisë që aplikojnë për këto shtëpiza janë të detyruara që hapjen e tyre gjatë ditëve të “Dimrit Kulturor” ta bëjnë në ora 12:00 dhe të qëndrojnë të hapura deri në ora 24:00.

Aplikimin bizneset mund ta bëjnë deri më 5 dhjetor në ora 15:00.

“Dimri Kulturor” pritet të fillojë më 20 dhjetor 2023 dhe të përfundojë më 6 janar 2024.