Festa pas fitores - Foto: Atdhe Mulla

FC Drita fiton Superkupën e Kosovës (FOTO)

Kampioni në fuqi i Superligës së Kosovës ka fituar sonte Superkupën e Kosovës.

FC Drita ka mposhtur klubin kryeqytetas FC Prishtina me rezultat 2 me 1.

Ndonëse, Prishtina e mbylli me epërsi pjesën e parë të ndeshjes me golin e Makendas, klubi gjilanas u kthye fuqishëm në pjesën e dytë, duke barazuar me golin e Gerbeshit nga pika e bardhë dhe me golin e fitores nga Haxhimusa në minutën ’82.

Kjo ndeshje, e cila u zhvillua në stadiumin e rinovuar të FC Prishtinës “Fadil Vokrri”, u ndërpre për pak çaste në minutën ’52, për shkak të hedhjes së mjeteve piroteknike në fushë.

Ndeshja për Superkupën e Kosovës është e para e zhvilluar në stadiumin e rinovuar të Prishtinës, i cili do të mbajë emrin e legjendës kosovare në futboll “Fadil Vokrri”, i cili vdiq më 9 qershor të këtij viti.

Stadiumi është nën mbikëqyrjen e UEFA-s, e cila do të përcaktojë nëse ai i përmbush standardet e saj.

Këto janë fotografitë e fotoreporterit të KALLXO.com, Atdhe Mulla, të realizuara gjatë festës për kupën e fituar nga FC Drita dhe gjatë ndeshjes së sontme.

Ndeshja FC Drita – FC Prishtina – Foto: Atdhe Mulla