Faturimi i humbjeve të energjisë, diskutohet mundësia e padisë ndaj ZRrE-së

Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe organizata “Konsumatori”, kanë kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për rritjen e nivelit të humbjeve të KEDS-it që do t’u faturohen qytetarëve.

Sherif Fejzullahu, kryesues i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit tha se vendimi i ZRrE-së është jashtëzakonisht i dëmshëm për konsumatorët.

“Vet emri i ZRrE-së, i jep mandat qe të jetë balancues në vendimet e tyre kur vjen në pyetje interesi i biznesit dhe konsumatorit. Zyra këtë rol nuk po e luan në drejtësi dhe favor të konsumatorëve por për interesa të tyre personale. KEDS-i dhe Qeveria kanë kontratë të përbashkët dhe ZRrE po arsyetohet se KEDS ka humbje, por në këtë rast këta janë palë e tretë, kësisoj ZRrE buk ka të të drejtë t’i faturojë humbjet e tyre në dëm të konsumatorit. Është vendim antiligjor moral i dëmshëm, nuk gjen arsyeshmëri. Humbjet zvogëlohen me punë, e jo nga xhepi i konsumatorit”, tha Fejzullahu.

Zyrtari i këtij këshilli, nuk e përjashtoi mundësinë që ta padisë ZRrE-në në rast se nuk tërhiqet vendimi.

“Pse jo, pse mos me paditë në rast se nuk hiqet vendimi”, tha ai.

Ndërsa kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku vendimin e ZRrE-së e cilësoi si joligjor, indinjues dhe të turpshëm.

“Qytetari nuk ka përgjegjësi të mbulojë humbjet e askujt. Dikush ka dashur të përfitojë. Ata ose janë në lajthitje dhe e luajnë rolin e tillë ose qëllimisht manipulojnë me konsumatorin”, tha ai.

Sipas Kaçanikut, edhe rritja e çmimeve të konsumit në Kosovë është mjaftë shqetësuese dhe se si organizatë këto çështje do t’i iniciojnë në instancat më të larta.

ZRRE-ja synon të amnistojë KEDS-in për dështimin në uljen e humbjeve