Mitrovica e Veriut. Foto: Kallxo.com

Ende i Paidentifikuar i Vrari në Mitrovicë

Një person që dyshohet se është vrarë është gjetur pa shenja jete në Mitrovicën Veriore.

Besim Hoti, zëvendësdrejtori i stacionit të policisë në veri të Mitrovicës, tregoi se i vdekuri kishte shenja dhune në trup.

“Viktima është e gjinisë mashkullore, i shtrirë për tokë dhe pa shenja jete. Ka pasur gjurmë kryesisht në pjesën e parme të trupit, në pjesën e stomakut”, tha Hoti për KALLXO.com.

Ai tregoi se nuk janë gjetur gëzhoja në vend të ngjarjes.

“Nuk e kemi përcaktuar se me çfarë mjeti është kryer kjo vrasje. Në vendngjarje ku u gjet viktima nuk ka gëzhoja”, shpjegoi Hoti

Viktima, sipas Hotit, është gjetur në afërsi të një veture me derë të hapur.

“Afër tij gjendet vetura të cilën ne besojmë se viktima e ka vozitur”, tha Hoti.

Ai shpjegoi edhe mënyrën se si mjnd të jetë kryer vrasja.

“Jemi duke kontrolluar vendet përreth, besojmë se mund të ketë ndodhur një kacafytje në mes viktimës dhe personave të tjerë”, tha Hoti për KALLXO.com

Hoti bëri të ditur se hetuesit janë ende në vendin e ngjarjes duke mbledhur prova.

“E kemi momentalisht edhe prokurorin hetues teknik të kriminalistikës i cili ka dalë në vend-ngjarje”, tha Hoti.