Deputeti Azem Syla në Polici - Foto: KALLXO.com

Më 15 Qershor Seanca Tjetër në Rastin Syla

Seanca nuk u mbajt për mungesë kushtesh, ndërsa avokati i Azem Sylës Tomë Gashi tha se ka propozuar një zgjidhje.

Gashi ka propozuar që seancat e mundësisë së veçantë hetuese të zhvillohen në sallën e  Ministrisë së Drejtësisë, duke treguar se me propozimin e tij është pajtuar edhe prokurori.

Prokurori e ka paraqitur edhe një alternativë tjetër-që në seancat e hetimit të veçantë të mos ftohen 32 të dyshuar.

Seanca e radhës është caktuar më 15 qershor.

10:43

Seanca e mundësisë së veçantë hetuese në rastin e 52 të dyshuarve për tjetërsim pronash është ndërprerë.

Avokatët e të dyshuarve kanë kërkuar kushte për mbajtjen e seancës, pasi salla nuk po i zë 52 të dyshuarit, avokatët e tyre dhe gardianët.

Seanca është duke u mbajtur në sallën më të madhe të Pallatit të Drejtësisë.

Avokatët aktualisht po rrinë në korridor, pasi është dhënë pauzë prej 10 minutash.

10:33

Edhe sot seanca e mundësisë së veçantë hetuese në rastin e keqpërdorimit të pronave është e mbyllur.

Seancë e tillë e mbyllur në rastin ku të dyshuar mes tjerësh janë deputeti Azem Syla dhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka u zhvillua edhe më 31 mars.

Mbylljen e seancës së 31 marsit e kishte kërkuar prokurori Danilo Cecarelli.

http://kallxo.com/mbyllur-hetimi-special-per-azem-sylen/

Tomë Gashi, avokati i Azem Sylës më 1 qershor deklaroi se ndaj Sylës dhe të tjerëve në qershor dhe korrik janë paraparë të zhvillohen 20 seanca të mundësisë së veçantë hetuese në të cilat sipas tij do të merren në pyetje dy dëshmitarë të mbrojtur.

http://kallxo.com/tome-gashi-gjithcka-gabim-ne-rastin-e-azem-syles/

Në seancat e mundësisë së veçantë hetuese, një panel prej 3 hetuesish mund të marrin në pyetje dëshmitarë që mund të ndodhë të mos jenë të pranishëm në procesin e mundshëm gjyqësor dhe dëshmia e dhënë në këto seanca konsiderohet pastaj si e dhënë në seancat gjyqësore.

Përveç Sylës e Ukës edhe 50 persona po dyshohen dhe hetohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore.

Sylës dhe Ukës para disa ditësh u është vazhduar paraburgimi edhe për nga tre muaj nga gjyqtarja e procedurës paraprake në Prishtinë.

Azem Syla, Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla dhe Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit kanë tjetërsuar prona shtetërore në mënyrë joligjore në regjionin e Llapnasellës, për çka të gjithë të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm.