Gashi: Ka interesa të mëdha për mosgjykimin e rastit 'Toka'

Gazetari dhe redaktori menaxhues në KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka deklaruar se arsyeja pse nuk po përfundohet në gjykatë rasti i njohur si “Toka” ka të bëjë me përfshirjen e interesave të mëdha në këtë rast.

“Ka pasë interesa t’mdhaja që ky rast mos me u gjyku përfundimisht prej një gjykatësi dhe me ardh një vendim i tillë” – tha Gashi në emisionin “Kallxo Përnime” në lidhje me zvarritjen e procesit të gjykimit.

Faktorët sipas tij, për mos përfundimin e rastit janë të shumtë, duke përmendur edhe vdekjet natyrore.

“Kur s’jon njerëzit e gjallë aty, rasti shkon tu u zbeh. Sa ma shumë të zbehet rasti kemi me pasë ma pak dënim aty, ma pak fajësi e ma pak rezultate” -tha Gashi.

Rasti “Toka” sipas Gashit është rast model i gjykimit pasi që të përfshirë në hetimin e këtij rasti kanë qenë hetues ndërkombëtarë që e kanë njohur mirë ligjin e ish-Jugosllavisë.

Sipas tij, në fazën finale rasti është duke u mbytur për shkak të fajit të gjykatës që nuk po mund të përmbyllet as në shkallë të parë.

Gashi shtoi se rasti është i papranueshëm pasi që askush nuk ka dhanë llogari për shtyerjen e seancave, e moscaktimin e tyre.

“Nuk munden të akuzuarit me shantazhu procesin, gjykatën dhe mos me lënë me shku drejt fundit procesin”- vazhdoi tutje Gashi.

Sipas gazetarit, “këtu ka njëfarë prapavije që me u prolongu procesi edhe me u vazhdu pafundësisht me mbetë i pa gjykuar.”

Rasti gjyqësor, i njohur si rasti “Toka”, doli në shesh tetë vite më parë, kur prokurorët e EULEX-it filluan ndjekjen penale ndaj Azem Sylës ish-deputet i PDK-së, që rezultoi me arrestimin e tij në prill të vitit 2016.

Sipas Prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar shtetit nga veprimet e të akuzuarve është milionëshe.

Rasti ishte duke u gjykuar nga gjyqtarë të EULEX-it, por më pas lënda është bartur në duart e drejtësisë vendore.

Lënda është në duart e gjyqtarëve Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues), dhe Lutfi Shala e Mentor Bajraktari (anëtarë).

Prokuror i rastit është Naim Abazi.

Tash, tetë vite pas, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur ende që t’i vërë pikën këtij rasti maratonik pasi që seancat në vazhdimësi janë shtyrë ose kanë dështuar të mbahen.

Njëjtë ndodhi edhe më 5 shkurt të këtij viti, kur seanca nuk mundi të vazhdonte pasi disa mbrojtës u deklaruan se nuk kanë disa shkresa të Prokurorisë. Sipas tyre ato nuk i kanë marrë pasi që janë angazhuar vonë si avokatë.

Së bashku me Azem Sylën janë të akuzuar 18 persona që, sipas organit të akuzës, kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.

Rasti numëron dhjetëra seanca të shtyra ose të dështuara që nga nisja e gjykimit për herë të parë.

Azem Syla dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria se si grup i organizuar kriminal kishin bashkëpunuar mes vete me qëllim që përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare t’i privonin Kosovës disa prona shoqërore.

Azem Syla në prill të këtij viti mbush 73-vjeç. Ai ishte arrestuar më 2016, kur ishte 65-vjeçar.

Në këtë rast përveç Sylës të akuzuar janë edhe Arton Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë është ngritur nga i njëjti prokuror, i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave. Mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Sylën dhe Vidosav Novakoviqin, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit e tjerë meqë është i njëjti rast.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO për rastin ‘Toka’ – LINK