Edhe Një Afat Shtesë për Faljen e Borxheve nga Shteti

Ligji për faljen e borxheve ishte temë diskutimi në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, ku u propozua shtyrja e afatit për shqyrtimin e kërkesave për faljen e borxheve deri në shtator të vitit 2017, si dhe propozimi i nenit që edhe Ndërmarrjet Publike të përfitojnë nga ky ligj.

Kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa Naser Osmani propozoi plotësim ndryshimet e projketligjit për faljen e borxheve, duke propozuar zgjatjen e afatit për shqyrtimin e kërkesave, si dhe duke e shtuar një nen në ligj ku do të përfitojnë edhe Ndërmarrjet Publike.

“Ju e dini që ne kemi aprovuar një ligj të cilit i ka skaduar mandati, Qeveria e ka proceduar draftin që të shtyhet afati i shqyrtimit të kërkesave për faljen e borxheve deri më 1 qershor 2017, por për shkak të specifikave që kanë të bëjnë me njerëzit që jetojnë në diasporë, unë propozoj që subjektet që dëshirojnë të përfitojnë nga ky ligj tu shtyhet afati deri më 1 shtator 2017”, tha Osmani.

Osmani po ashtu shpjegoi se Ligjit për faljen e  borxheve i mungon neni i cili përcakton faljen e borxheve edhe për Ndërmarrjet Publike të cilat vetë kanë falë borxhe përderisa atyre nuk u falet asnjë lloj borxhi.

Sipas tij, nëse nuk bëhet një ndryshim i tillë këto ndërmarrje do të mbesin vazhdimisht në borxhe.

Anëtarja e komisionit, deputetja Shqipe Pantina nga VV, kërkoi sqarime shtesë se nga kush përfitojnë falje të borxheve Ndërmarrjet Publike të cilave u është bërë e padrejtë qysh në fillim kur është draftuar ligji

“A mund ta sqarojmë një gjë, ju po kërkoni që kompanive publike të cilat disa po u falin borxhe qytetarëve, në të njëjtën kohë të jenë edhe vet përfituese nga ky ligj, sepse këta i kanë borxhe kujt, s’po e kuptoj? Shqetësimi im të cilin e kam ngritur edhe më herët është se ndërmarrjeve publike  me këtë ligj u është bërë një lloj padrejtësie”, tha Pantina.

http://kallxo.com/ndermarrjet-publike-ne-hall-me-ligjin-per-faljen-e-borxheve/

Deputeti Osmani sqaroi se pikërisht për shkak padrejtësive që i është bërë Ndërmarrjeve Publike në ligj duhet të shtohet neni që t’u falen tatimet e Administratës Tatimore për aq sa ata falin borxhe e janë të ngarkuar me tatime.

“Pikërisht këtë po e propozoj edhe unë që këtyre ndërmarrjeve publike t’u falen borxhet e Administratës Tatimore për sasinë që ata u kanë falur qytetarëve e që vet janë të ngarkuar me tatim”, tha Osmani.

Me shtatë vota pro dhe një abstenim u vendos që projketligji të miratohet në parim me ndryshimet e propozuara.

Falja e Borxheve Peshon Afër 400 Milionë €

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe draft ligji për Obiliqin, kurse me kërkesën e deputetëve shqyrtimi i draft buxhetit për vitin 2017 u shty për javën tjetër për arsye se materiali i buxhetit i cili ishte sjellë në kuvend ishte i palexueshëm.

Problemet e Borxheve të Falura