Duda Balje

Duda Balje: Në Kosovë ka ndodhur Srebrenica e vogël

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, në emër të 45 mijë studentëve dhe stafit të Universitetit të Prishtinë e tha se përkrahin fuqishëm iniciativën  për zbardhjen e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Rektori Dema në takimin gjithëpërfshirës për Lansimin e Tribunalit Ndërkombëtarë për krimet e Serbisë në Kosovë tha se shpreson se do të fitojnë këtë betejë.

“Duhet të ketë në ndërgjegjen tonë, së pari në mua, pasi them se UP është Kosova, Kosova është UP prandaj ta pyesim vetëm se çfarë mund të bëjmë ta ndërtojmë paqen. Edhe unë besoj fuqishëm qe në qofte se të gjithë bashkohemi para kësaj kauze të drejtë, do ta fitojmë edhe këtë luftë”, tha rektori Dema.

Ndërsa Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës tha se viktimat seksuale me vite të tëra janë duke kërkuar drejtësi.

“Falënderoj Vasfije Krasniqin që me dëshminë në Kongresin Amerikan bëri thirrje që të bëhet më shumë. Viktimat e dhunës seksuale me vite të tëra janë duke kërkuar drejtësi. Kjo iniciativë të kërkoj zyrtarisht të gjitha informacionet që janë në UNMIK t`u pasohen institucioneve të Kosovës që të vendoset drejtësia në vend”, tha ajo.

Rushiti shtoi se duhet t`i  grumbullojmë të dhënat kudo që janë ato, për ta krijuar një data bazë, që të nis inicimi i dënimit të këtyre krimeve.

“Vetëm dy rase kanë shkuar në Gjykatën Supreme dhe po aty kanë rënë. Ne jemi për të kërkuar drejtësi dhe urojmë e shpresojmë që ky Tribunal të arrij të sjellë drejtësi. Pa ndëshkim të kriminelëve, pa drejtësi nuk ka qetësi”, tha ajo.

Deputetja Duda Balje, kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut tha se në Kosovë ka ndodhur Srebrenica e vogël.

“Ne si Komision dhe si deputetë e mbështesin iniciativën tuaj, ne jemi këtu për ju. Nuk mund ta zvogëlojmë dhimbjen, por jemi këtu për të punuar vetëm për të vërtetën”, tha deputetja Balje.

Në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, organizatave dhe shoqatave për krime të luftës, deputetët të Kuvendit të Kosovës nga pozita dhe opozita. Në këtë takim po merr pjesë edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, rektori i UP-së Marjan Dema e të tjerë.

KALLXO.com transmetoi direkt seancën nga Kuvendi i Kosovës, kliko në LINK