A po mbetet BQK-ja pa guvernator?
Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth pozitës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Duda Balje, deputete, njëherësh pjesë e Komisionit parlamentar për buxhet, punë dhe transfere, ka thënë se nuk ka institucion në Kosovë që, sipas saj, nuk është i ndikuar nga politika.
Në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Balje ka thënë se në mbledhjen e parë të Komisionit nuk kanë pasur asnjë informacion lidhur me ecurinë e punës në BQK.
“Na i kanë pru dy lista, këta të huajt kanë vlerësuar kështu, na kemi vlerësuar kështu. Ne e kemi ditë që të huajt janë organ monitorues, organi monitorues ka vlerësuar një grua të vijë në krye të BQK-së, organi vendor e ka vlerësuar me notat më të ulëta, shumë dallim. Kur kemi parë listën, kur kemi parë notat e të dyja komisioneve menjëherë e kemi ditur që diçka s’është në rregull” – ka thënë Balje.
Ajo ka shtuar se veç pse është një grua në pyetje për guvernatore është bërë problem.
“Po të ishte burrë nuk do të ishte bërë kaq shumë problem, edhe ne veç për gruan po kemi problem. Është ofendim një pozitë e tillë tek ne të udhëhiqet nga një grua” – ka shtuar më tej Balje.
Në fund të janarit ishin publikuar rezultatet e kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.
Monitoruesit nga Britania e Madhe kanë publikuar rezultatet pas përfundimit të të gjitha fazave të këtij procesi të rekrutimit.
Kandidatja më e poentuar është Shkëndije Himaj me 32 pikë nga 40 pikë që ishte maksimumi.