Lista e ngushtë për Guvernator të BQK-së, diskutime mes opozitës dhe komisionit vlerësues

Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli dhe Nexhat Kryeziu janë kandidatët në listën e ngushtë për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Himaj, Ismaili, Ismajli dhe Kryeziu janë zgjedhur nga komisioni vlerësues në përbërje prej Flamur Mrasori, Nora Latifi Jashari dhe Bashkim Nurboja anëtarë të bordit të BQK-së. Ky proces është monitoruar edhe nga ekspertët britanik.

Sot, në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere këtë listë e ka prezantuar dhe arsyetuar, Bashkim Nurboja.

Nurboja tha se dy kandidatë kanë pasur pikë të njëjta dhe se kanë zgjedhur kandidaten grua për ta futur në listë të ngushtë. Kandidati i pestë që nuk është futur në listë është Fehmi Mehmeti, guvernatori aktual i BQK-së.

Sipas ligjit të BQK-së nuk ka një numër të caktuar emrash që duhet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për kandidatët për guvernator të BQK-së.

Nurboja tha se kanë zgjedhur listën prej katër kandidatëve duke u bazuar ndër të tjera në praktikat e mëhershme por edhe duke vlerësuar ‘integritetin’ e kandidatëve.

Nurboja tha se Fehmi Mehmeti, guvernatori aktual i Bankës Qendrore të Kosovës nuk ka integritet për të qenë pjesë e konkursit për guvernator të ri.

Kjo sipas tij pasi Mehmeti vitin e kaluar ka keq-informuar publikun me një kumtesë të publikuar duke paraqitur shifra jo reale.

“Në panel ka pasur propozime të ndryshme me sa emra me shku por jemi bazuar ndër të tjera në praktika të mëhershme. Neni 40 i ligjit për BQK kërkon që kandidati për Guvernator të BQK-së të ketë integritet. Për kandidatin e pestë, ne kemi vlerësuar se nuk ka integritet për këtë pozitë dhe për këtë jemi bindur edhe në dhjetor të vitit të kaluar. Ai ka keq-raportu në prill të vitit të kaluar përmes një kumtesë për media dhe në raportim në komision të nesërmit. Ai ka prezantuar shifra që nuk janë reale. Numrat në raporte tregojnë diçka tjetër. Ne jemi përtej dyshimit të bazuar. Është me prova e vërtetuar”- tha Nurboja.

Por arsyetimi se Mehmeti nuk ka integritet për të qenë pjesë e listës së ngushtë për Guvernator të BQK-së u bë temë e diskutimit nga deputetët opozitar.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e konsideroi të rëndë deklaratën e Nurbojës për integritetin e Fehmi Mehmetit, guvernator aktual të BQK-së.

Hoti tha se në listën dhe shkresat e dërguara nga komisioni vlerësues nuk përmendët askund kjo si arsye e mos futjes në listë të Mehmetit.

“Në shkresat që ju i keni shkru, nuk janë këto që po thuani, vërejtjet për integritetin e guvernatorit aktual. Unë mendoj që ne nuk duhet që të vazhdojmë këtë mbledhje. Unë mendoj që ne duhet të kërkojmë opsionin nga zyra ligjore për arsyet e poentimit të kandidatëve, jo që po dyshojmë por duhet të ketë një arsyetim. Dhe t’i kemi të gjitha pikët për kandidatët. Kjo është shumë e rëndë për atë që ju po thuni për integritetin e Guvernatorit aktual të BQK-së. Ju është dashtë me marrë masa me raportu, ose keni raportu por unë nuk jam në dijeni. Unë mendoj që të mos procedohet ky konkurs në Kuvend deri sa të marrim të gjitha përgjigjet”- Avdullah Hoti.

Duda Balje, deputete tha se me zgjedhjen e kandidates, grua është shkelur ligji për barazi gjinore. Ajo tha se nuk do ta përkrahë këtë listë.

“Unë mendoj se keni shkel ligjin, jam shumë e sigurt. Për integritetin ne mundemi me fol për secilin. Është shumë e çuditshme qysh munden me fol kështu për kandidatin, për guvernatorin aktual. Unë dyshoj se ju keni diçka kundër, se ju në dy kandidatë me pikë të njëjtë dhe ju të vendosni me shkel ligjin. Ligji për barazi nuk është vetëm për femra por për të gjithë. Ju e keni shkel ligjin. Unë nuk do të përkrah këtë”- tha Balje.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala kërkoi sqarime se nëse Mehmeti nuk ka pasur integritet ‘pse është vlerësuar me 26 pikë dhe si ka arritur që të kaloj të gjitha fazat e konkursit’. Ai tha se ‘duhet të kërkohen sqarime nga zyra ligjore e Kuvendit’.

Në fund nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere u vendos që raporti duhet të plotësohet me të dhëna duke përfshirë opionin ligjor dhe pikët e të gjithë kandidatëve.

Komisioni vlerësues kishte vlerësuar me 35.3 pikë Ahmet Ismaili; me 34 mikë Nexhat Kryeziu; 33 pikë Lulzim Ismajli dhe me 26 pikë Shkëndije Himaj. Maksimumi i pikëve ka qenë 40 pikë.

Ekspertët britanikë kishin vlerësuar me pikë maksimale kandidaten Shkëndije Himaj.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj guvernatorin aktual të BQK-së, Fehmi Mehmetit dhe është në pritje të përgjigjes.