Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi i Kosovës mban një minutë heshtje për Masakrën e Srebrenicës

Me fillim të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë mbajtur një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të Masakrës së Srebrenicës.

Para deputetëve për këtë masakër folën edhe nënkryetari i kuvendit, Bahrim Shabani e deputetja Duda Balje.

Në gjuhën boshnjake ata kujtuan viktimat, e kërkuan drejtësi për ta.

“Deri sa bota merr pjesë në ngushëllime dhe kujton këtë ditë të zezë, ku boshnjak të pafajshëm u vranë brutalisht, autorët e këtij krimi të tmerrshëm në zemër të Evropës, vit pas viti mohojnë krimin e tyre” – tha nënkryetari Shabani.

Ai tutje tha se këtë vit, trupat e identifikuar të 30 boshnjakëve do të varrosen në ceremoninë e shënimit përvjetorit të gjenocidit më 11 korrik në Srebrenicë.

E në anën tjetër, deputetja Balje tha se ky gjenocid njohët se një nga krimet më të mëdha në Evrope që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Srebrenica është dhe do të mbetet vula e përgjakshme e shekullit të 20-të” – tha ajo.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurtë nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.