Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kritikohet anulimi i mbledhjes për peticionin e punëtorëve të RTK-së, opozita e quan të qëllimshëm

Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës ka anuluar dje, më 30 tetor 2023, mbledhjen e paraparë për sot (31 tetor) në të cilën ishin të ftuar përfaqësues të 3 sindikatave të RTK-së.

Në takim ka qenë e planifikuar të diskutohej peticioni i sindikatave të RTK-së që kishte mbledhur 361 nënshkrime me kërkesën – dorëheqja e Besnik Boletinit pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa” dhe pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com për diskriminimin e tri grave në konkurset për pozita të larta menaxheriale.

Përfaqësues të opozitës në këtë Komision po e kritikojnë anulimin e takimit.

Opozita po e quan të qëllimshëm anulimin e mbledhjes pasi të mërkurën më 1 nëntor 2023 mbahen intervistat për konkursin për anëtarë të bordit të RTK-së, proces ky ku kryetari aktual i bordit, Besnik Boletini, po e kërkon mandatin e dytë. 

Deputetet nga Partia Demokratike e Kosovës pjesë e këtij Komisioni, Eliza Hoxha dhe Ariana Musliu Shoshi, e kanë quajtur arbitrar anulimin e mbledhjes që do të mbahej sot me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së. 

Hoxha e Musliu Shoshi thonë se vendimi për anulim të mbledhjes nga kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje, është marrë pa asnjë konsultim apo miratim të deputetëve të tjerë. 

“Sot në mënyrë arbitrare shohim se si kryetarja e Komisionit z.Balje e anulon takimin pa asnjë konsultim, shpjegim dhe miratim të deputetëve të tjerë. Kjo është trysni e pushtetit me anulu mbledhjen, e zonja Balje po sillet vetëm si vegël e pushtetit” – kanë thënë Hoxha dhe Musliu Shoshi. 

“Heshtja dhe anulimi arbitrar i mbledhjes nga pozita dëshmon injorimin që po i bëhet përfaqësuesve të sindikatava karshi nevojave dhe kërkesave të tyre. Dhe kjo pikërisht në kohën kur z. Boletini ka intervistën për zgjatje të mandatit për anëtar të bordit…”- thonë ato për KALLXO.com.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, ka thënë për KALLXO.com se ajo nuk ka anuluar mbledhjen por vetëm e ka shtyrë për javën e ardhshme. 

“Unë nuk e kam anulu mbledhjen, vetëm e kam shtyrë për një ditë tjetër. Sepse temën që jemi duke e bërë është për peticionin dhe ne zakonisht jemi duke bërë takime kur janë dy palët prezentë”- ka thënë ajo. 

Por në emailin e dërguar nga Komisioni i udhëhequr nga Balje drejt kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së thuhet qartë “mbledhja anulohet”. 

Ndërsa për KALLXO.com, Balje tha se e ka ‘shtyrë’ mbledhjen me qëllimin që të ketë në tavolinë të dyja palët. 

“Unë kam marrë përgjigje pozitive prej anës së sindikatës ndërsa nga bordi kam marrë përgjigje, shumë më herët se unë të dërgoj ftesën për takim, se ata e kanë të hapur konkursin për anëtar të bordit dhe janë në procedura të intervistimit të kandidatëve. Dhe ata që kanë apliku për këtë vend janë duke u intervistuar. Unë e kuptova këtë sepse jam edhe në Komisionin për buxhet. Ata prej Sindikatës më kanë konfirmu, e prej bordit më kanë jep arsyetimin të intervistimit. Unë kam dashtë t’i kem në tavolinë drejtorin e bordit dhe përfaqësuesin e Sindikatës, por këto përgjigje kam marrë”- ka thënë Balje për KALLXO.com.

Kryetari i bordit Besnik Boletini ka mohuar një gjë të tillë. Ai në një deklaratë për KALLXO.com tha se as nuk e ka përmendur çështjen e rizgjedhjes si anëtar i bordit të RTK-së për mospjesëmarrje në këtë takim.  

“Lidhur me deklarimet e znj. Balje që i paska bërë për mediumin tuaj, ju them se nuk janë të vërteta. Unë po ua dërgoj si dëshmi komunikimin ku edhe ajo është në e-mail në ftesën që ma kanë dërguar dhe përgjigjen. Çështja e rizgjedhjes është diçka që as nuk është përmendur në komunikim, e as që ka ndërlidhje me këto raportime. Nuk është e  vërtetë që unë kam kthyer përgjigje të tillë, apo dikush tjetër nga bordi. As nuk po e kuptoj pse e ka thënë e as si e ka ndërlidhë. Intervistimi bëhet nga një komision tjetër, prandaj nuk po e kuptoj se si i kanë ndërlidhë këto dy çështje. Pra nuk është e vërtetë që arsyetimi ka qenë procesi i intervistimit për rizgjedhje”- ka thënë ai për KALLXO.com.

“Për shkak të planifikimeve të mëhershme e kam të pamundur që të marr pjesë në këtë mbledhje”- thuhet në e-mailin e dërguar nga Boletini drejt Baljes pas ftesës për mbledhje në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.

Pas kësaj deklarate të Boletinit, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë sërish deputeten Duda Balje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Boletini sot mungoi edhe në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike, ku do të diskutohej raporti i Zyrës Kombëtare të Audimit. 

Albana Bytyqi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e quajti të qëllimshme mungesën e kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini, edhe pse arsyetimi zyrtar i Boletinit dhe nënkryetares Arta Berisha për mospjesëmarrje në mbledhje ishte se ishin në udhëtim.

“Vlen të theksohet se gjithashtu sot drejtori i bordit nuk ishte prezent në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku do të raportonte lidhur me raportin e ZKA-së për pasqyrat financiare vjetore për vitin 2022, gjë që tregon se ai po ikën nga përgjegjësia që ka për të raportuar në komisionet funksionale, dhe siç duket kjo gjë ndodh për shkak së tani është në procedurat e zgjatjes së mandatit të tij”- shtoi Bytyqi.

Kryetari i bordit, Besnik Boletini, tha për KALLXO.com se për mungesën e tij në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike kishte njoftuar me kohë kryetaren e Komisionit. 

“Por unë ditë më parë i kam tregu kryetares së Komisionit që e kam të pamundur të marr pjesë në këtë mbledhje, por i kam thënë që mund të marrin pjesë anëtarët e tjerë pasi që raporti i ZKA-së është trajtuar goxha shumë, e kemi trajtu edhe në Komisionin për Buxhet dhe kanë njohuri të gjithë anëtarët. Kryetarja është pajtu me këtë propozim dhe nuk ka propozu datë tjetër”- tha ai.

Eliza Hoxha shpjegoi se kur Komisioni për të Drejtat e Njeriut kishte pranuar peticionin e “360 punëtorëve të RTK -së të pëfaqësuar nga Fadil B. Hoxha – kryetar i SPRTK-së, i cili shtjellon pakënaqësi të shumta dhe shkelje të të drejtave njerëzore nga anëtarë të bordit” ishin dakorduar t’i ftojnë në takim përfaqësuesit e Sindikatës dhe Boletinin, kryetarin e bordit të RTK-së.

“Ky i fundit refuzoi të vinte në takim për shkak të angazhimeve të tij”- shpjegoi Hoxha. 

Anulimin e kësaj mbledhjeje, kryetari i SPRTK-së, Fadil Hoxha, e quajti të qëllimshme, duke theksuar se nuk kanë marrë asnjë arsyetim se pse është anuluar takimi.

“Pa dhënë asnjë shpjegim, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione na njoftoi se e ka anuluar takimin e thirrur për sot për shqyrtimin e peticionit të 361 punetorëve të RTK-së për shkarkimin e Besnik Boletinit nga pozita e kryetarit të bordit të RTK-së” – ka thënë Hoxha. 

Hoxha thotë që deputetët që kanë bërë anulimin e këtij takimi “ia kanë bërë argatin Besnik Boletinit, i cili jo që s’po jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të bordit por përkundrazi po synon mandatin e dytë në bord dhe për këtë do t’i nënshtrohet intervistës që do të mbahet nesër”.

Pas pyetjeve që i ka dërguar Kallxo.com Duda Baljes, ajo i ka ridërguar ftesë sindikatave të RTK-së duke e ricaktuar takimin e anuluar, tash më 7 nëntor në ora 13:00.

Shtyhet raportimi i RTK-së, deputetja e AAK-së: Kryetari i Bordit po i ikë takimeve