Ilustrim - Arme e konfiskuar

Drenas - Arrestime, mbyllje e lokaleve të bixhozit e konfiskim i armëve

Tre persona janë arrestuar dhe tri armë janë sekuestruar nga ana e Policisë së  Kosovës në një aksion të ndërmarrë me 31 janar 2019.

“Operacioni i hetuesve policor, pas marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit si dhe së urdhëresës së Gjykatës përkatëse, është zhvilluar në katër lokacione të ndryshme, një shtëpi dhe tri lokale, ku gjatë bastisjeve policia ka arritur  të gjejë dhe të sekuestrojë tri revole si dhe 16 fishekë”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Sipas policisë, personat e arrestuar janë: Sh. B., 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe A. Gj.,  mashkull, 46 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilët  pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq i arrestuari i tretë është Sh. Gj., 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është dërguar për vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës, pasi që i njëjti ishte i kërkuar me urdhëresë të gjykatës.

“Po ashtu lokalet e bastisura nga ana e policisë, ku është hasur në veprimtari të ndaluar (bixhoz) si dhe pas verifikimit të dokumentacionit nga ana e inspektorëve komunal të tria lokalet janë mbyllur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, aksioni është realizuar nga hetuesit policor të stacionit të Drenasit, të mbështetur nga Njësiti për Reagim të Shpejtë që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës.