Konferenca për prokurimin elektronik | Foto: KALLXO.com

Drejtori i OSHP-së: Nuk Kemi Pse të Hapemi më Shumë

Drejtori i OSHP-së, Blerim Dina, tha se Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk ka arsye të hapet më shumë.

Këtë deklaratë Dina e dhënë në konferencën e Demokraci Plus ku u diskutuan problemet e prokurimit publik.

Ndonëse e pranoi se ka mangësi në OSHP, ai e mohoi se ky institucion duhet të jetë më i hapur.

“Personalisht, unë mendoj se OSHP-ja është mjaft transparente dhe nuk kemi çka me u hapë ma shumë”, deklaroi ai.

Dina për ta argumentuar atë që tha, përmendi publikimin e ankesave, mendimin e ekspertëve dhe tha se seancat e Organit Shqyrtues të Prokurimit janë të hapura.

Ndërsa, të njëjtin mendim nuk e patën edhe panelistët e tjerë të cilët sugjeruan se duhet të punohet më shumë në transparencën e institucionit, që njihet ndryshe si “Gjykata e Tenderëve”.

Stephen Carpenter, nga projekti Team i USAID-it, tha se transparenca është e domosdoshme në sektorin e prokurimit.

“Në Kosovë 40 deri në 60 për qind e buxhetit, si në nivel lokal ashtu edhe qendror, shpenzohet përmes prokurimit publik. Ky është vendi ku qëndron paraja e madhe dhe si pasojë, është edhe vendi ku qëndron edhe mundësia për korrupsion”, tha Carpenter.

Përveç kësaj, ai shtoi se, sipas OJQ-ve, prokurimi publik komprometohet nga patronazhi politik, klientelizmi, nepotizmi, ryshfeti (mashtrimi), por edhe forma të tjera të korrupsionit.

“Bizneset, ndër të tjera, raportojnë se me tenderë ka mashtrime ku përmes manipulimit të specifikimeve teknike apo kualifikimeve të kërkuara në përfitimin e një kompanie apo një tjetre”, tha Carpenter.

Ai deklaroi se kompanitë e kontraktuara bëjnë punë të cilësisë së dobët.

“Madje gjatë administrimit të kontratave, firmat e kontraktuara, bëjnë punë të cilësisë së dobët apo sigurojnë sasi më të ulët të materialit për të cilin ka qenë e lidhur kontrata” tha Carpenter ndër të tjera duke folur rreth problemeve të fushës.

Ai i theksoi edhe disa probleme të tjera të prokurimit, duke përfshirë këtu, dështimin për ta ndjekur vlerësimin e tenderëve të përcaktuar me ligj, keqpërdorimin apo lëshimin e paligjshëm të aneks-kontratave, buxhetimin e dobët, mos-planifikimin e procesit të prokurimit dhe mungesën e kontrollimit të performancës së kontratave.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Safet Hoxha, kreu i Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik, KRrPP, i cili tregoi se prokurimi elektronik, apo siç njihet ndryshe, e-prokurimi, është stabilizuar.

Hoxha shtoi se që nga janari të gjithë tenderët dhe palët kontraktuese do të regjistrohen në platformën elektronike të prokurimit.

KALLXO.com ka shkruar më herët për ngecjet e prokurimit elektronik në Kosovë.

http://kallxo.com/ngec-prokurimi-elektronik/