Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Betim Reqiça si i akuzuar në lidhje me rastin e segmentit "Prizren - Prevallë" - FOTO: Laurant Berisha - KALLXO.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Betim Reqiça si i akuzuar në lidhje me rastin e segmentit "Prizren - Prevallë" - FOTO: Laurant Berisha - KALLXO.

Prova numër shtatë, pamundëson mbajtjen e shqyrtimit fillestar ndaj 10 të akuzuarve lidhur me segmentin Prizren – Prevallë

Prova numër shtatë pamundësoi që të vazhdohet me shqyrtimin fillestar ndaj 10 të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për falsifikim me dokumente, për Segmentin Prizren – Prevallë që sipas prokurorisë nga 2 milionë vlera e projektit u ndryshua në 17 milionë.

Të akuzuar për këtë rast janë Betim Reçica, Valmira Bllaca, Zymer Abdullahu, , Jetmir Alaj, Emir Morina, Blerim Dina, Nuhi Paçarizi, Goran Milenkoviq, Izedin Bytyqi dhe Muhamet Gashi.

Mbrojtësit e të akuzuarve u deklaruan se në provat që i ka dorëzuar prokuroria tek ta, nuk gjendet edhe prova me numër shtatë.

“Është e vërtet se i kemi pranuar shkresat ashtu siç tha prokurori, mirëpo pas analizimit të tyre konsiderojmë se mungojnë 4 prova që janë kryesoret sa i përket mbrojtjes dhe atë kërkesa për inicim nga departamenti i infrastrukturës së bashku me shkresat, e që është jetike në këtë rast sa i përket zhvillimit e cila evidentohet me numrin 7 të aktakuzës, pastaj deklarata e departamentit të infrastrukturës së bashku me paramasat dhe parallogaritë si dhe specifikacionet teknike të projektit si dhe emailet zyrtar në mes të Izedin Bytyqit dhe Arban Abrashit”- tha Driton Muharrremi, avokat i Betim Reqiçës.

Me këtë deklarim u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë.

Kurse prokurori i Prokurorisë Speciale, Dren Paca, tha se duhet të jetë në CD-në e provave që mbrojtja i ka pranuar.

“Lidhur me kërkesën për inicim e procedurës së prokurimit, mund të jem gabim por mendoj se e njëjta duhet të jetë në CD-të që mbrojtja i ka pranuar konkretisht tek ta them folderi i titulluar dosja e tenderit, aty duhet të jenë duke filluar nga kërkesa dhe të gjitha dokumentet tjera përcjellëse, gjithsesi, nëse e njëjta mungon do ta sigurojmë dhe do ta sjellim brenda 3 ditësh”- u deklarua Paca.

Kryetari i trupit Gjykues, Mentor Bajraktari, mori vendim duke shtyrë seancën e shqyrtimit fillestar, për datën 30 tetor, ku pritet të lexohej aktakuza dhe të deklarohen palët lidhur me fajësinë e tyre.

“Me qenë se nga ana e prokurorit nuk është dorëzuar prova me numër 7, siç pretendojnë të gjithë mbrojtësit e të cilët disa e konsiderojmë si provë kruciale, prokurori gjatë deklarimit të tij thekson se ka edhe disa dëshmi, dëshmitarë, që i ka dëgjuar gjatë procedurës hetimore dhe këto deklarata nuk ja u ka dorëzuar të pandehurve për shkak se nuk janë propozuar në aktakuzë, sepse prokurori ka vlerësuar se nuk kanë relevancë në këtë çështje, gjykata konsideron se nga ana e prokurorit duhet të dorëzohen të gjitha provat që janë mbledhë”- tha Bajraktari.

I njëjti urdhëroi prokurorinë që në afat prej 7 ditëve të dorëzohen provat tek mbrojtja.

Me të filluar seanca gjyqësore, i pranishëm në seancë nuk ishte i akuzuari Goran Milenkoviq, për të cilin u veçua lënda nga Gjykata, pasi që mbrojtësi i tij kërkoi që të shtyhet seanca fillestare.

Pasi që ndaj tij ka fletrreshtim ndërkombëtar, mbrojta kërkoi nga Gjykata që t`i largohet fletrrëshimi, kërkesë e cila nuk i’u aprovua nga Gjykata.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 10 personave për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për falsifikim të dokumenteve.

Të akuzuar në këtë rast janë: Betim Reçica, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, Valmira Bllaca, zyrtare përgjegjëse e prokurimit, Zymer Abdullahu, udhëheqës i zyrës së sekretarit të MIT, Jetmir Alaj e Emir Morina, anëtarë të komisionit për vlerësimin e tenderëve në MIT, Blerim Dina, Nuhi Paçarizi dhe Goran Milenkoviq, kryetar dhe anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Izedin Bytyqi, sekretar i përgjithshëm dhe Muhamet Gashi zëvendësministër në MIT.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit që nga fillimi i muajit maj të vitit 2019 deri në fillim të muajit shtator të vitit 2020 në cilësinë e personave zyrtarë në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë shkelur Ligjin e prokurimit publik si dhe Ligjin për ndarje buxhetore të vitit 2019.

Të pandehurit, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishin ndryshuar vlerën e projektit i emërtuar “Rikonstruimi i rrugës rajonale R115, Segmenti Prizren – Prevallë” nga vlera 2 milionë euro sa i dispononte Ligji për buxhetin e vitit 2019 në mbi 17 milionë euro.

Veprime këto të cilat ishin bërë për qëllim të përfitimeve pasurore për firmën “Eskavatori SH.P.K., “Pro & Co.Group” SH.P.K., “Best Company” SH.P.K. dhe  “K.N.P.SH Papenburg & Adriani Company” SH.P.K.

Sipas aktakuzës, Zymer Abdullahu kishte marrë pjesë në nënshkrimin e Deklaratës së nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve ani pse nuk ishte person kompetent pasi që i njëjti kishte nënshkruar në vend të njësisë kërkuese, duke e aprovuar projektin në fjalë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me këto veprime të pandehurit i përzgjodhën për t’i shpërblyer me kontratë operatorët ekonomikë të lartcekur të cilët sipas aktakuzës konsiderohen të papërgjegjshëm dhe më të shtrenjtë se operatorët e tjerë ekonomikë për mbi 2 milionë euro.

Tutje, sipas aktakuzës, kur erdhi koha për rikonfirmim të mjeteve financiare, të pandehurit falsifikuan nënshkrimin e zyrtarit kryesor financiar.

Zyrtari i financave i kishte njoftuar paraprakisht të pandehurit për gjendjen financiare brenda institucionit.

Të pandehurit sipas aktakuzës me qëllim që t’i hapin rrugë nënshkrimit të kontratave të lartcekura kishin marrë vendime për refuzimin e ankesave dhe kërkesave për rishqyrtim të operatorëve të tjerë ekonomikë, vendime të cilat sipas të pandehurve ishin arsyetuar se gjoja se kërkesat dhe ankesat ishin paraqitur pa pretendime ankimore.

Të pandehurit duke qenë në dijeni se kompanitë që kishin ushtruar ankesat e tyre, nuk do të ishin në gjendje për të përmbushur kontratën brenda afatit të paraparë ligjor për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ndryshuan kushtet materiale të kontratës në dëm të MIT. Veprime nga të cilat u favorizuan kompanitë “Eskavatori” SH.P.K., “Pro & Co Group” SH.P.K., “Best Company” SH.P.K dhe “K.N.P.SH Papenburg & Adriani Company” SH.P.K.

Sipas Prokurorisë, kontratat u nënshkruan me kompanitë në fjalë për dy lote në vlerë rreth 14.5 milionë euro.

Për nënshkrimin e këtyre loteve u përkujdes gjithnjë sipas Prokurorisë zëvendësministri, tani i pandehuri Muhamet Gashi, në vend të ministrit, duke i tejkaluar kompetencat ligjore.

Veprime këto që të pandehurit i kanë kryer duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë mbi 12 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, me veprimet e të pandehurve përpos buxhetit të shtetit janë dëmtuar edhe operatorët e tjerë ekonomikë, të cilët në kushte të barabarta do mund të aplikonin si dhe qytetarët e Kosovës, veçanërisht qytetarëve të asaj zone për faktin se punimet ishin paraparë të përfundonin më së largu deri në muajin qershor të vitit 2022.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit ato as për së afërmi nuk kanë përfunduar, thotë Prokuroria Speciale.

Në dispozitivin dy të aktakuzës, e pandehura Valmire Bllaca më 4 tetor 2019 vendos nënshkrimin në Deklaratën e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve, nënshkrim i cili duhej të vihej nga zyrtari kryesor i financave.

E njëjta sipas aktakuzës duke e ditur se pa nënshkrimin e zyrtarit kryesor të financave, nuk do plotësoheshin kushtet për nënshkrimin e kontratave për implementimin e projektit, vendos nënshkrimin pothuajse të ngjashëm me atë të zyrtarit të financave, për qëllim të avancimit dhe nënshkrimit të kontratave me operatorët e lartcekur.

Veprime këto që nga e pandehura kanë konsumuar elementet e veprës penale – falsifikim i dokumenteve.