O'Connell: Prokurimi publik një prej sektoreve më problematik në Kosovë

Kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), Blerim Dina dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës dhe ngritjen e transparencës së OShP-së.

Mbështetja do të jetë në tri fusha, në përmirësimin e cilësisë dhe konsistencën e vendimeve, përmirësimin e strukturës organizative dhe ngritjen e nivelit të bashkëpunimit me institucionet e tjera të prokurimit publik dhe jo vetëm.

Blerim Dina tha se ky memorandum mirëkuptimi do të ofrojë mbështetje teknike për OShP-në.

“OShP ka mundësi për ngritje të kapacitetit dhe për këtë jemi duke punuar me shumë seriozitet. Ne besojmë që me bashkëpunimin e Ambasadës dhe partnerët e tjerë do të arrijmë t’i kalojmë këto sfida”, theksoi Dina.

Kurse ambasadori britanik në Kosovës, Ruairi O’Connell tha se nuk është sekret që prokurimi publik ka qenë njëri prej sektoreve problematike në Kosovë.

“Është e rëndësishme që prokurimi publik të rregullohet. 60 përqind e tatimeve shpenzohen ne prokurim, nese prokurimi nuk rregullohet tatimet nuk shpenzohen si duhet dhe nuk ka shance që të ketë demokraci në Kosovë se këto tatime do të përdoren në mënyrë politike në Kosovë”, theksoi O’Connell.

Ambasadori O’Connell potencoi se në të kaluarën OShP ka pasur probleme me profesionalizëm, me vendime dhe ndikim politik.

“Shpresojmë që përkrahja jonë do të ketë rezultate konkrete dhe kjo varet nga ju e jo nga ne”, përfundoi O’Connell.

Kallxo.com e ka transmetuar live ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit mes OShP-së dhe Ambasadës britanike në Kosovë.

LIVEOShP dhe Ambasada Britanike nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 25 avril 2019