Dita e Festës dhe Protestës

Në ditën kur i mbush 8 vjet shtet, Kosova do të festojë dhe do të protestojë njëkohësisht.

Në agjendën e Këshillit Organizativ ndër tjera në orën 10 të mëngjesit parashihet parakalimi i FSK-së dhe njësiteve të Policisë së Kosovës, ndërsa vetëm katër orë më pas, tri partitë opozitare kanë paralajmëruar protestë.

Por sot nuk do të ketë seance solemne në Kuvend për shënimin e kësaj dite!

Në orën 14:00 Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën,  kanë ftuar qytetarët të mblidhen në Prishtinë.

Po ashtu protestës pritet t’i bashkëngjiten edhe 54 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, analistë, gazetarë, publicistë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe sipërmarrës privatë që kanë nënshkruar një deklaratë, në të cilën njoftojnë se do t’i bashkohen protestës së 17 shkurtit të organizuar nga opozita.

Dje në një konferencë për media, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se protesta e nesërme “është protestë për t’u çliruar”.

Kurti komentoi edhe arrestimet e aktivistëve të kësaj partie.

“Një ditë para protestës, pushteti në panik përmes çdo aparati shtetëror. Këto janë metoda fashiste që ta zbehin protestën e nesërme. E nëse e duan këtë, këto janë arrestime te vonuara ngase protesta do ta thyejë edhe rekordin e 9 janarit!” tha Kurti.

Që nga e marta janë arrestuar tetë aktivistë të këtij subjekti politik. Arrestimet lidhen me një aksion të “Vetëvendosjes” të vitit 2009, kur qenë kthyer mbrapsht makinat e EULEX-it.

Opozita thotë që sot do të protestojnë paqësisht, ndërsa Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve në Ditën e Pavarësisë.

festa1 festa2