Foto: Jetmira Delia-Kaci/ REL
10 policë të lënduar nga sulmet me molotov e mjete të forta gjatë protestës në Tiranë
10 zyrtarë policorë janë lënduar gjatë protestës së Partisë Demokratike (PD), e cila është duke u zhvilluar në Tiranë, më 07.10.2024.
Policia e Shtetit tha se protestuesit kanë hedhur koktej molotovi, lëndë piroteknike e sende të forta.
Ndërsa thuhet se Policia ka marrë masat për identifikimin dhe kapjen e të përfshirëve.
“Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse. Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie. Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore. Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore”- tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Shqipërisë, Gentian Mullai.
Zëdhënësi tha se shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.
Mbështetës të partisë opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike (PD), kanë hedhur molotov në drejtim të objektit të Kryeministrisë dhe disa objekteve tjera, në protestën e së hënës, teksa kundërshtojnë burgosjen e deputetit demokrat, Ervin Salianji.
Ai është burgosur në lidhje me akuzën “kallëzim i rremë”.
Partia Demokratike e ka cilësuar protestën si fillim i mosbindjes civile dhe vendimin për deputetin e konsideron si politik.