ARKIV - Ilustrim: Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com

‘Dhuna Sjell Dhunë’

Krahas aksidenteve, rastet e dhunës në familje dominojnë në raportet të cilat Policia e Kosovës i shpërndan çdo ditë për opinion.

Raste të shumta të dhunës në familje raportohen në media, ndërsa zhvillimi i teknologjisë e ka bërë më të sofistikuar raportimin e këtyre rasteve.

Ndërkohë që shoqëria civile po mundohet ta ndërgjegjësojë opinionin përmes protestave kur rastet ndodhin, sociologët e psikologët kosovarë thonë se njerëzit në Kosovë duhet të marrin trajnime më të mira se si duhet të adresohet ky problem.

Nga ana tjetër, institucionet janë treguar të pafuqishme për ta adresuar këtë problem ndër vite.

Të premten e javës së kaluar të gjithë, shumica e mediave raportoi për një rrahje brutale të një vajze në rrugë të një fshati të Rahovecit.

Policia konfirmoi se kryes i kësaj vepre, e cila u xhirua me një telefon dhe iu servua menjëherë publikut, ishte xhaxhai i viktimës, një nxënëse 16 vjeçare. Agresori u mor në pyetje nga hetuesit ndërsa iu shqiptua masa e ndalimit policor 48 orësh.

Sipas sociologes, Sibel Halimi, institucionet e nivelit komunal nuk janë të përgatitura mirë për t’i trajtuar rastet e tilla.

“Problemi i krejt kësaj është se në Drejtori të Arsimit, në Ministri të Arsimit në nivel komunal mungojnë në tërësi këto programet për të rinjtë. Ka mungesë të programeve sociale që merren me të rinjtë dhe tash i vetmi mjet realisht për të rinjtë është dhuna sepse në një farë forme ky rast në heshtje dhe në mënyrë deklarative i ka tregu qasjet në përgjithësi ndaj vajzave”, tha Halimi për KALLXO.com.

Ajo shtoi se ky rast nuk është as i pari as i fundit i cili ka ndodhur ndërsa, sipas saj, ekziston mentaliteti patriarkal i cili është i përfshirë në shoqëri.

“Ky është vetëm një prej rasteve të cilat ka dalë në publik, por dhuna ndaj vajzave, dhuna ndaj grave është mjaft e shprehur në shoqërinë tonë. Problemi më i madh është se ky mentalitet patriarkal është i përfshirë në të gjitha dimensionet e shoqërisë tonë, përfshirë këtu edhe institucionet relevante të cilat merren me këtë çështje”, tha Sibel Halimi.

Por ajo ka mbetur e habitur se si ky rast është pranuar nga institucionet e vendit.

“Është për t’u çuditur se si një rast si ky legjitimohet dhe pranohet nga të gjithë akterët kryesorë të cilët është dashtë me dënu dhunën e në fakt ata e kanë pranuar dhe arsyetuar dhunën”, tha sociologia Halimi.

Duke folur për mënyrën se si duhet të trajtohet një rast i tillë, Sibel Halimi tha se shkollat duhet të kenë qasje adekuate pa e marrë përdorimin e dhunës si opsion.

Në media është raportuar se deri te dhuna ka ardhur pasi që familjarët e vajzës kanë qenë të pakënaqur me sjelljet e vajzës në shkollë dhe jashtë saj, por për psikologun Fitim Uka, dhuna nuk është edukim.

“Dhuna si mjet nuk mund të prodhojë rezultate që janë të qëndrueshme dhe as të dobishme për individin. Për më tepër, viktimat e dhunës në familje janë të predispozuara për të qenë të dhunshëm në raport me bashkëmoshatarët e tyre”, tha Uka.

Ai shtoi se dhuna shton më shumë probleme dhe bart pasoja negative.

“Traumat psikologjike që mund të shkaktohen nga rastet e tilla janë vërtetë të mëdha, andaj ne si individë, por edhe si institucione, duke filluar nga familja, shkolla duhet të mos tolerojmë dhunën. Familja duhet të jetë çerdhe e ngrohtësisë dhe mbështetjes”, tha Fitim Uka.