Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kurti: Barra për luftimin e dhunës ndaj grave, nuk duhet të bie vetëm mbi gratë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave tha se barra për ta luftuar këtë dhunë nuk duhet të bjerë vetëm mbi gratë.

Kurti tha se dhuna ndaj grave është është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe një armë mizore që përdoret për të nënshtruar gratë.

“Barra për ta luftuar atë nuk duhet të bjerë vetëm mbi gratë, të cilat përballen me hakmarrje për të folur për veten dhe të tjerët, por mbi shoqërinë në tërësi, duke përfshirë qeveritë” – ka shkruar Kurti në rrjetin social X (ish-Twitter), krahas fotografive të objektit të Qeverisë, e ndriçuar në portokalli.

Sonte, ndërtesa e Qeverisë dhe e zyrës së Presidentes u ndriçuan në ngjyrë portokalli, e cila është simbol i një të ardhmeje më të ndritur pa dhunë për gratë dhe vajzat.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se sot është bërë hapja e fushatës 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

“Sot dhe çdo ditë tjetër!” – është slogani i kësaj fushate që nisi sot, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Kjo fushatë do të vazhdojë deri më 10 dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Foto: Zyra e Kryeminstrit të Kosovës