Dhuna dhe Ngacmimet në Vendin e Punës Adresohen me Konventë Ndërkombëtare

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) po punon për një konventë në nivel ndërkombëtar që përcakton një bazë për ndërmarrjen e veprimeve në adresimin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës.

Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë ka organizuar sot konferencën për mbështetjen e Konventës së ILO-s lidhur me adresimin e dhunës në baza gjinore në vendin e punës.

Në këtë konferencë u tha se edhe pse Kosova nuk është ende anëtare e ILO-së i është mundësuar që të japë një mendim për këtë proces, se të si adresohet dhuna apo ngacmimi në baza gjinore nga sindikatat dhe shoqëria civile.

Shukrije Rexhepi nga Bashkim i Sindikatave të Pavarura në Kosovë (BSPK) tha se ky proces ka filluar në fund të vitit të kaluar. Ajo tha se në Kosovë ka filluar një fushatë vetëdijesimi nga 13 shkurti deri më 8 mars.

“Kjo konventë e ka ndikimin e vet. Kampanja të cilën e kemi zhvilluar së bashku me OJQ-të në Kosovë, ka qenë për mbështetje të kësaj kërkese nga sindikatat ndërkombëtare në mënyrë që të vihet më shumë në pah kjo konventë”, tha Rexhepi.

Ajo tha se është koha për miratimin e kësaj konvente dhe kërkoi mobilizimin në ndërmarrjen e veprimeve nga organizatat në largimin e ngacmimeve në vendin e punës.

Në prezantim u tha se përgjithësi në Europë rreth 50 % të grave në vendit e punës janë të prekura nga ngacmimet seksuale në vendin e punës.

“Meqë këtë vit në qershor do të diskutohet rreth kësaj çështje bëjmë thirrje që Qeveria dhe punëdhënësit tonë ta përkrahin këtë konventë”, u shpreh Rexhepi.

Ndërsa Luljeta Demolli nga Qendra për Studime Gjinore tha se kohëve të fundit Kodi Penal është duke u rishqyrtuar dhe se kanë punuar shumë që çështja e dhunës në familje të ridefinohet.

Adelina Berisha nga Rrjeti i  Grave të Kosovës tha se të gjitha institucionet në Kosovë kanë tendencë që të mos e ruajnë konfidencialitetin dhe gjithmonë të fajësojnë viktimën.

“Në qoftë se përkrahja e institucioneve do të ishte më e mirë kjo do të ndikonte edhe tek raportimi i qytetareve për këto raste” tha Berisha.

Ajo tha se kanë dhënë rekomandime që ngacmimi seksual të futet si vepër kriminale në Kodin Penal dhe kjo është pranuar.