Emisioni i Kallxo Përnime për ngacmimet në UP, prokuroria autorizon hetime
Pesë ditë pas transmetimit të emisionit të Kallxo Përnime për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës, Prokuroria ka autorizuar organet e rendit që të nisin hetimet.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi më 12.04.2024 ka konfirmuar për KALLXO.com se janë intervistuar katër dëshmitarë.
“Prokuroria ka autorizuar policinë për të ndërmarrë hetime pas publikimit. Janë intervistuar katër dëshmitarë dhe intervistat televizive janë vendosur në dosjen e Policisë” – tha kryeprokurori Gashi.
Më 07.04.2024, Kallxo Përnime transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.
Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se ua kishte bërë derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.
Përveç këtyre tri studenteve, në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.
‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisje e kësaj dite kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.
Në konsultime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëj masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten”.
Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mblodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.
Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.Universitetit të Prishtinës, më 11.04.2024, pretendohet se Universiteti i Prishtinës është ballafaquar edhe me bojkotim të mësimit nga studentët.
Ndërkohë, aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, po të njëjtën ditë u shpërndanë me forcë nga Policia e Kosovës, pasi kishin bllokuar hyrjen e Rektoratit të UP-së.
Fakulteti i Mjekësisë (FM) nuk e cilëson “bojkot” të mësimit por “mosvijim” i mësimit nga studentët, kjo pasi kanë komunikuar me Këshillin Studentor të FM, i cili ka deklaruar se në një pjesë të konsiderueshme të degëve të FM-së studentët nuk e kanë vijuar mësimin.
Ata madje nuk mendojnë se arsyeja e mosndjekjes së mësimit ditën e enjte është solidarizimi me thirrjen e LFS-së për bojkot të mësimit.
“Paraprakisht nuk kemi pasur ndonjë paralajmërim për mosvijimin e mësimit nga studentët ditën e sotme (11.04.2024). Arsyeja e mosndjekjes së mësimit sot më shumë ka të ngjarë të jetë “lidhja” e dy ditëve të pushimit (e martë dhe e mërkurë) me ditën e sotme sesa solidarizimi me thirrjen e ditës së djeshme për bojkotimin e mësimit për sot” – thuhet në përgjigjen e Fakultetit të Mjekësisë më 11.04.2024.