Dështon Zgjedhja e Anëtarit të KPK-së

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është votuar edhe për anëtarin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kandidatë për këtë pozitë ishin Rexhep Gashi, Azem Hajdari e Xhevdet Halili.

Në votim kanë marrë pjesë 74 deputetë. 9 vota u shpallën të pavlefshme, 39 deputetë votuan për Xhevdet Halili, 26 për Rexhep Gashin dhe asnjë për Azem Hajdarin.

Prandaj zgjedhja e anëtarit të KPK-së ka dështuar për shkak se për t’u zgjedhur duheshin 61 vota e më tepër. Konkursi duhet të përsëritet.

Në mungesë të kuorumit nuk është votuar për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit Këshilldhënës për Mbrojtjen e Mjedisit.

Prandaj, kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti vendosi që të shkohet në pushim të drekës, duke ju bërë thirrje deputetëve të kthehen në seancë në ora 15:00.