Deri në Shkurt S’ka Datë për Seancën e Kuvendit

Një pjesë e deputetëve nuk do të jenë në Kosovë deri më 7 shkurt, ndërsa lajmin se nuk është caktuar data e mbledhjes së Kuvendit u bë i ditur nga kryeparlamentari Kadri Veseli pas mbledhjes së kryesisë.

“Nuk  kemi vendosur për seancën e radhës, pas edhe konsultimeve që i kemi pasur me Qeverinë e Republikës së Kosovës, pasi që ne si Kuvend i Kosovës deri në fillim të shkurtit kemi shumë deputetë që janë jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe do ta kemi edhe një mbledhje të kryesisë në fillim të shkurtit për t’i përcaktuar edhe datat e mbajtjes së seancës plenare,” tha Veseli.

Kuvendi i Kosovës ditën e parë të punës në sezonin pranveror e kishte më 19 janar, por pikërisht atë ditë nuk u mbajtën mbledhjet e përcaktuara të dy komisioneve- njëri për mungesë kuorumi, e tjetri pa dhënë ndonjë arsye.

http://kallxo.com/viti-i-punes-nis-me-shtyrje/

Veseli kërkesën e opozitës për shkarkimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja e quajti kërkesë të zakonshme të cilën e kanë të gjitha opozitat deri në shkuarjen në zgjedhje.

Ai tha se në ditët në vazhdim, si dhe në këtë vit, pritet të ketë dialog politik.

“Besoj që e kemi marrë mësim nga ajo që kemi kaluar, nuk dua të predikoj as pozitën e as opozitën, por të gjithë bashkërisht, sepse e kemi lodhë popullin, njerëzit nuk janë të kënaqur me ato se çka shohin, pavarësisht se a janë pozitë a opozitë, sepse kanë qejf me pa seriozitet pak ma shumë, njerëzit kanë qejf me iu përmirësuar jeta e tyre,” tha Veseli.

Ndërsa Aida Dërguti  deputete e “Vetëvendosjes” dhe nënkryetare e Kuvendit, tha se vendimi i opozitës për t’i penguar seancat e Kuvendit nuk ka ndryshuar.

Ajo tha se Kuvendi dhe Qeveria e kanë humbur legjitimitetin e tyre edhe për ta zgjedhur presidentin e ardhshëm të  Republikës së Kosovës.