Kuvendi i Kosovës | Foto nga KALLXO.com

Deputetët votojnë vetëm 1 nga 4 rezolutat

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar vetëm njërën nga katër rezolutat sa dolën në votim në seancën e sotme.

Propozim-rezolutat e Kuvendit të Kosovës kishin mbetur pa u votuar nga seancat e kaluara, ndërsa sot morën verdiktin final.

E vetmja rezolutë që u miratua ishte interpelanca e ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

Ndërsa rezolutat tjera nuk arritën t’i marrin votat e mjaftueshme. Madje një numër i konsiderueshëm i deputetëve as nuk kanë votuar, ani pse kryesuesi i seancës kërkonte nga deputetët që të votojnë.

Rezolutat që u nuk u miratuan janë: Rezoluta në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucione dhe zyrtarët e lartë; Rezoluta për interpelancën e Kryeministrit Haradinaj për gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës si dhe Rezoluta në lidhje me vendimin e Ministrit Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e granteve dhe subvencioneve.