Komisioni për Integrime Europiane. Foto: Kallxo.com

Deputetët në Komision Kritikojnë dhe Votojnë Privilegjet Jetësore të Presidentëve

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane e kanë kritikuar përmbajtjen e një projektligji që përcakton privilegjet e Presidentit të Kosovës, që nga momenti kur ai e lë detyrën, por në fund projektligji mori votat e mjaftueshme për të kaluar shkuar në seancë për shqyrtim.

Ky projektligj kaloi në seancë me 5 vota ‘për’, 2 ‘kundër’ dhe 2 ’abstenime’.

Është raportuar se ky projektligj ofron privilegje të përjetshme për ish- Presidentët, prandaj shumica e deputetëve anëtarë të këtij komisioni u shprehën kundër përmbajtjes së dokumentit.

“Unë do të votoj kundër çdo lloj tendence për rritjen apo për t’i dhënë mundësi të marrë pagë të përjetshme, qoftë edhe për Presidentin. Por për momentin me ia caktu zyrën, 3 asistentë, veturën, pagën, nuk e di a janë mbretër a zyrtarë”, tha Kollçaku nga Vetëvendosje.

Edhe Milaim Zeka nga NISMA, me fjalë më të ashpra, u shpreh kundër këtij projektligji.

“Na nuk jemi shtet, na nuk jemi parlament funksional qe i bën kontrollë ekzekutivit. Nëse e kishim kontrollu, ata nuk i kishin rritë pagat. Tash ka një vendim të Agjencisë Kundër Korrupsionit, që s’dihet nëse të respektohet”, tha ai duke iu referuar opinionit të djeshëm të AKK-së për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë të qeverisë.

“Pra, te puna e rrogave na jemi si mbretëri e jo si shtet. Pra unë votoj kundër ketij ligji”, tha Zeka.

Armend Zemaj nga LDK tha se do të abstenojë në këtë votim.

“Tendenca e një institucioni që të rregullojë çështje të brendshme, paga, privilegje, është e padrejtë sepse po krijon atakime me institucione tjera”, tha Zemaj.

Ai tha se deputetët duhet ta ftojnë Ministrinë e Administratës Publike të flasë për këtë çështje.

“Sot është e papranueshme që disa institucioneve, përmes Kuvendit u është lejuar pagë e përjetshme, pavarësisht punës e pagës që e merr pastaj. Gjykata Kushtetuese ia ka hequr deputetëve pagat pas përfundimit të mandatit, ndërsa Kuvendi u ka dhënë krerëve të Gjykatës Kushtetuese pagë të përjetshme’, tha Zemaj.

Edhe Fitore Pacolli nga Vetëvendosje ishte kundër.

“Përderisa mendojmë për privilegjet e Kryeministrit e Presidentit po harrojmë shumë familje që janë në ndihmë sociale të cilëve u ndalohet ndihma në momentin kur fëmijët mbushin 5 vjet”, tha Pacolli.