Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, Foto: KALLXO.com

Anulohet seanca ndaj deputetit të VV-së Valon Ramadani

Seanca e caktuar për të martën, 05.03.2024, ndaj deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, nuk është mbajtur për shkaqe shëndetësore të gjyqtares Anita Krasniqi- Prenaj.

Lajmin e kanë konfirmuar nga zyra e gjyqtares Krasniqi- Prenaj.

Valon Ramadani akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës më 21.03.2018.

Para gjyqtares Anita Krasniqi- Prenaj, deputeti Ramadani, më 23.02.2024 kishte vendosur të mbrohet në heshtje.

Çka thotë dosja e prokurorisë për këtë rast?

Aktakuza e ngritur më 26.07.2019 thotë se deputeti në fjalë ka ndezur dhe ka hedhur bombolë të gazit lotsjellës më 21.03.2018 rreth orës 17:09 gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e VV-së kishin hedhur gaz lotsjellës në këtë seancë menjëherë sapo ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kishte hedhur në votim marrëveshjen për demarkacionin.

Sigurimi i Kuvendit kishte ndërhyrë duke i larguar bombolat e gazit lotsjellës.

Kjo seancë ishte ndërprerë.

Veç kësaj, ai akuzohet se ka penguar edhe deputetët tjerë në kryerjen e detyrave të tyre duke pamundësuar punimet në seancë me hedhjen e gazit lotsjellës.

Provat të cilat i ka në dispozicion prokuroria sipas dosjes së saj janë raportet policore, ekspertizë mbi mjetin e bombolës, videoincizime, fotodokumentacion dhe vendimi i Kryesisë së Kuvendit mbi ndalimin e pjesëmarrjes dhe vazhdimin e seancës.

Dosja shpalos se i akuzuari Ramadani para policisë është mbrojtur në heshtje.