Dënohen ish- zyrtarët e “ Lesna-s “ në Mitrovicë

Burg efektiv  dhe burg me kusht janë dënimet që iu shqiptuan ish- zyrtarëve të institucionit financiar “Lesna”.

Ardian Jonuzi dhe Berat Hasani akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ardian Jonuzi është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg efektiv, ndërsa Berat Hasani është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës një vjeçare, raporton Kallxo.

Kurse për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar” me të cilin akuzohej Ardian Jonuzi është marrë aktgjykim refuzues, pasi që prokurori Ismet Ujkani kishte hequr dorë nga ndjekja penale për shkak të parashkrimit absolut, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 20 prill 2018, raporton Kallxo.com

Ndryshe Prokuroria Themelore në Mitrovicë akuzon Ardian Jonuzin dhe Berat Hasanin se në cilësinë e analistëve të kredive në institucionin jobankar “Lesna”, dega në Mitrovicë, kanë nënshkruar kontrata në emër të kredimarrësve, me ç‘rast kanë mundësuar lidhjen e kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale, ku vlera e tërësishme e përfitimit të personave të tjerë arrin shumën prej 55.500 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se Ardian Jonuzi ka mundësuar lidhjen e gjithsej 48 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 46.800 euro dhe se ka nënshkruar vetë 33 kontrata në emër të kredimarrësve.

Kurse Berat Hasani akuzohet se në emër të kredimarrësve ka mundësuar lidhjen e gjithsej 3 kontratave për kredi bujqësore dhe blegtorale në vlerë prej 8.700 euro.