Shpallja e akgjykimit ndaj te akuzuarve per keqperdorim te detyres - KALLXO - 19.02.2019

Dënim me burgim me kusht për drejtorin e Spitalit të Gjakovës

Ahmet Asllani, drejtor i Spitalit Regjional të Gjakovës “Isa Grezda” është dënuar më gjashtë muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore. Asllani akuzohej për keqpërdorim në tenderin për furnizim me mantela për spitalin “Isa Grezda”.

Ahmet Asllani u dënua me 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Edhe të akuzuarit Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi, Adnan Brovina dhe Skender Ndrecaj u dënuan me 6 muaj burgim me kusht, dënim ky që nuk do të mbahet nëse brenda një viti nuk kryejnë vepra tjera penale.

Ndërsa Kumrije Kameri, u dënua me 3 muaj burg me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda 6 muajve nuk kryen vepër tjetër penale.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga trupi gjykues me kryetar Shaqir Zika, Gëzim Pozhegu dhe Manduhije Syla.

Ahmet Asllani drejtori ekzekutiv i Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, bashkë me të akuzuarit Mirlinda Shehu-Kaqi, Flamur Zeneli, Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi, Kumrije Kameri, Adnan Brovina dhe Skender Ndrecaj akuzoheshin nga Prokuroria për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërsa Gjykata kishte pushuar procedurën penale ndaj Mirlinda Shehu-Kaqi dhe Flamur Zeneli për shkak të parashkrimit relativ.

Tetë të akuzuarit, dy prej të cilëve përfaqësues të një biznesi si dhe drejtori aktual i spitalit, akuzoheshin nga Prokuroria e Gjakovës se manipuluan me numrin e mantelave të cilat ishin paguar nga Spitali.

Të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm.

 

https://kallxo.com/nis-gjykimi-i-te-akuzuarve-per-keqperdorim-me-mantela-ne-spitalin-e-gjakoves/

 

Sipas aktakuzës, këta të akuzuar furnizimet me mantela për spitalin që kryheshin me sasi më të vogla, në letra i shënonin në sasi më të madhe të mallit.

Dy të pandehurit Mirlinda Shehu, menaxhere në ndërmarrjen ‘El-Ri Graphic’ dhe Flamur Zeneli, po akuzohen se nuk i kishin dorëzuar spitalit mantelat të cilët ishin paraparë në kontratë.

“Në kontratë përfshiheshin 48 copë mantela me ngjyrë të bardhë, 302 copë pantallona dhe bluza të bardha, 78 copë pantollana dhe bluza të gjelbëra, 41 copë pantollana dhe bluza të pembe dhe 17 copë me ngjyrë të kaltër, ku vlera e këtyre arrin në 9.855 euro”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa tre të pandehurit Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi dhe Kumrije Kameri, kishin nënshkruar dokumentacionet të cilat tregonin se materialet janë dorëzuar.

Për të pandehurin Adnan Brovina në aktakuzë thuhet se në cilësinë e personit zyrtar-depoist, ka pranuar më pak uniforma se sa ishte e përcaktuar në kontratë.

 

https://kallxo.com/mjeke-e-infermiere-te-gjakoves-akuzohen-per-keqeperdoime-me-mantela/

 

Sipas aktakuzës po ashtu ishte përfshirë edhe përgjegjësi i infermierëve Skender Ndrecaj, i cili thuhet se ka bërë presion tek depoisti për pranimin e sasisë më të vogël të mantelave.

Si rrjedhojë këtë rast Gjykata e Apelit ka kthyer në rivendosje, pasi që avokatët e të akuzuarve ishin ankuar në Apel, pasi që Gjykata Themelore kishte refuzuar kundërshtimet e aktakuzës dhe provave nga ana e tyre.

 

https://kallxo.com/apeli-kthen-ne-rivendosje-rastin-e-8-te-akuzuarve-per-keqperdorim-me-mantela-ne-spitalin-e-gjakoves/

 

Kallxo.com kishte shkruar në Tetor për refuzimin nga gjykata të kundërshtimeve të aktakuzës.

 

https://kallxo.com/te-akuzuarit-per-keqperdorim-me-mantela-ne-spitalin-e-gjakoves-kundershtojne-akuzat/

 

Bëhet e ditur tashmë, se nga ana e Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, është parashtruar padia për përmbushjen e obligimeve të kontraktura ndaj të paditurës “NSH EL-Ri Graphic” dhe vlera e kontestit është 5.469.75 euro.

Kjo padi është dorëzuar si kopje në gjykatë dhe e njëjta vërteton se i ka shkaktuar dëm material Spitalit Rajonal.