Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës - ShSKUK

Gjashtë kandidatë plotësojnë kriteret për drejtorë të spitaleve në Ferizaj dhe Gjakovë

Gjashtë kandidatë kanë plotësuar kriteret për pozitën e drejtorëve në spitalet në Ferizaj dhe Gjakovë.

Gzim Shala, Jeton Zeqiri dhe Ragip Bytyqi janë tre kandidatët që garojnë për udhëheqjen e Spitalit të Ferizajt.

Ndërsa, Hilmi Shala, Afrim Dervishi dhe Besart Gashi garojnë për udhëheqjen e Spitalit të Gjakovës.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), si mbikëqyrës i spitaleve rajonale dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka publikuar këtë njoftim më 15.03.2024.

ShSKUK tha për KALLXO.com se procedura e vlerësimit do të vazhdojë ditëve në vazhdim pasi të formohet Komisioni i Përzgjedhjes.

Jeton Zeqiri ka qenë drejtor i Spitalit në Ferizaj për tri vjet, deri në skadim të kontratës, në gusht 2021.

Që nga përfundimi i kontratës së tij, Spitali i Ferizajt është udhëhequr nga 4 ushtrues detyre. Aktualisht ushtrues detyre i drejtorit në këtë institucion është Fikret Arifi.

Ndërsa, Spitali i Gjakovës udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Hilmi Shala, i cili po synon që të jetë i rregullt në këtë pozitë.

Ish-Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari ishte shkarkuar në shtator 2023 “për shkak të shkeljeve disiplinore dhe mos kryerje e detyrave të punës sipas kontratës”.

Ky konkurs ishte hapur edhe për drejtor të Spitalit të Mitrovicës, mirëpo në mungesë të kandidimeve, konkursi për këtë pozitë është anuluar.