Drejtori i Inspeksionit Demë Dashi | Foto e nxjerrë nga një video e KALLXO.com

Demë Dashi: Arrestimi Komplot i Ndërtuesve Ilegalë

Demë Dashi, drejtori i inspeksionit në Komunën e Pejës që u arrestua më 11 nëntor nën dyshimet për keqpërdorim detyre, pas lirimit prej arrestit shtëpiak nga Gjykata e Apelit për arrestimin fajësoi ata që i quajti ndërtues ilegalë.

“Kjo është komplot i tyre[ndërtuesve ilegalë] që e kanë organizuar në forma të ndryshme përmes disa hetuesve të cilët nuk janë profesionalë,fatkeqësisht,” tha Dashi për KALLXO.com.

Ai tha se hetuesit që e arrestuan janë të ndikuar nga ata që pretendon se i bënë komplot.

Dashi është kthyer në vendin e tij të punës, ndërsa veten e konsideron të pafajshëm në lidhje me dyshimet që u ngritën ndaj tij, duke treguar se kolegët e tij dhe zyrtarët komunalë besojnë se ai nuk ka shkelur ligjin.

Dashi po hetohet pikërisht pse nuk ka marrë masa ndaj tejkalimit të lejeve të ndërtimit në Komunën e Pejës, por ai e mohon një gjë të tillë.

“Asnjë objekt shumëbanesor nuk është në Komunën e Pejës që nuk janë zhvilluar procedurat ndaj tyre. Janë mbi 40 kallëzime penale pikërisht të objekteve shumëbanesore. Janë mbi 60 kundërvajtje. Janë dënuar një pjesë e tyre  përmes gjykatës për kundërvajtje,janë dënuar ndërtuesit industriale deri në 15 mijë euro,” tha ai.

Dashi pretendon se kallëzimin penal ndaj tij e ngritën pikërisht ndërtuesit ilegalë, pasi tha se ishte aktiv ndaj tyre.

“Kjo është një anakroni e tipit të veçantë që unë kam bërë kallëzim penal për disa ndërtues, a mua pikërisht për ata me bëhet kallëzim penal, për ata që unë ju kam bërë kallëzim penal,” tha ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia opozitare në Pejë në një konferencë për gazetarë të zhvilluar në tetor të këtij viti, pak më shumë se një muaj para se Dashi të arrestohej, kishte akuzuar pushtetin lokal të Pejës për tolerim të ndërtimeve pa leje.

Atëherë Demë Dashi duke folur për KALLXO.com kishte mohuar ndërtimet pa leje, ndërsa kishte pranuar se ka tejkalime të lejeve të ndërtimit.

http://kallxo.com/shumekateshet-ngjiten-lart-se-lejet-ne-peje/

Opozita e Pejës në një seancë të asamble[së më 1 dhjetor kishte deklaruar se nga 28 objektet banesore në këtë komunë, 23 janë pa leje.

http://kallxo.com/ndertimet-pa-leje-ngjallin-debat-te-nxehte-ne-peje/

Që nga arrestimi më 11 nëntor, Dashit i ishte caktuar dy herë arresti shtëpiak prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Pejë, por pas ankesës së avokatit të tij, ai u lirua nga Gjykata e Apelit.

http://kallxo.com/30-dite-arrest-shtepiak-per-drejtorin-e-inspeksionit/

Kur Dashi u arrestua, AAK-ja në Pejë atë e konsideroi kurban të shkeljeve të zyrtarëve të lartë të kësaj komune.

http://kallxo.com/aak-e-konsideron-kurban-deme-dashin/