Lirohet nga akuza ish-drejtori i inspektoratit në Pejë

Ish-drejtori i Inspektoratit në komunën e Pejës, Demë Dashi, është liruar nga akuza për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Dashi akuzohej se me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj, gjatë periudhës 7 maj 2014 – deri më 14 nëntor 2016.

“Nuk është provuar se ai ka kryer këtë vepër penale”, tha gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj.

Dashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri më 14 nëntor 2016.

Prokuroria e akuzon Dashin se ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Sipas aktakuzës, ai u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm disa personave.

“Më në fund, pas 4 viteve drejtësia triumfojë, edhe pse e kam ditur nga fillimi se një gjë e tillë do të ndodhë, ngase aktakuza është ngritë pa asnjë provë materiale”, tha për KALLXO.com mbrojtësi i Dashit, avokati Gëzim Kollqaku.