Drejtori i Inspeksionit Demë Dashi | Foto e nxjerrë nga një video e KALLXO.com
Ish-drejtori i Inspektoratit në izolim, dështon seanca ndaj tij për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Ka dështuar të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit të Komunës së Pejës, Demë Dashi, i cili po akuzohet se me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri më 14 nëntor 2016.
Seanca e sotme nuk është mbajtur pasi nuk ka pas kushte për mbajtjen e seancës.
“Nuk ka pas kushte për mbajtjen e seancës, i pandehuri paraprakisht e ka njoftuar gjykatën se është në izolim”, tha për KALLXO.com zëdhënësja e gjykatës, Tringa Zhuti.
Ky proces gjyqësor pritet të fillojë nga pika zero për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, pasi gjyqtarja Lumturije Muhaxheri ka ndërruar jetë.
Me këtë gjykim do të udhëheqë si kryetare e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj.
Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 13 dhe 14 shtator.
Demë Dashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën drejtor i Drejtorisë së Inspekstoratit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri më 14 nëntor 2016.
Prokuroria e akuzon Dashin se ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.
Sipas aktakuzës, ai u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm disa personave.