Demaku: Asnjë Provë Kundër Meje

Kryetari i Drenasit Nexhat Demaku dhe drejtori në Shërbimin Kadastral të kësaj komune Mehdi Kurrumeli më 7 tetor 2015 ishin dënuar me 1 vit e gjysmë, përkatësisht 1 vit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa atëherë qe liruar Shefqet Morina, referent për ndërrime kadastrale në Drenas.

Demaku akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e një parcele toke prej 4 hektarësh të cilën komuna e konsideron të veten, ndërsa Gjykata Supreme e vlerësoi private. Në këtë pronë është ndërtuar një shkollë publike.

Familja Hasi që në këtë proces ishte palë e dëmtuar e konsideron këtë pronë të veten me një vendim të vitit 1998, të cilin komuna nuk e ka pranuar, duke e regjistruar pronën si komunale.

http://kallxo.com/e-plotesuar-denim-me-burg-per-kryetarin-e-drenasit-nexhat-demaku/

Ndaj vendimit të vitit të kaluar të gjykatës ishin ankuar edhe mbrojtja e Demakut dhe Kurrumelit, duke kërkuar lirim të dy zyrtarëve dhe prokuroria që dënimet e themelores i konsideronte të ulëta dhe donte dënime më të larta.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit, kryetari i Drenasit Nexhat Demaku tha se në lidhje me këtë pronë nuk ka prova kundër tij.

“Nga viti 2012 kur ka filluar kjo procedurë nuk është gjetur ndonjë provë materiale për përgjegjësinë e kryetarit, pasi që përgjegjësitë e kryetarit përcaktohen me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale,” tha Demaku.

Ai deklaroi se “sa u përket ndërrimeve kadastrale nuk ka përgjegjësi penale”.

Demaku u çudit se si në vendimin e vitit të kaluar të themelores si rrethanë rënduese është marrë fakti se ia ishte pjesë e një procesi tjetër gjyqësor.

“Është e paarsyeshme se si në arsyetimin e aktgjykimit si rrethana rënduese është marrë edhe ajo se unë jam në një procedurë tjetër penale, mirëpo ajo ka të bëjë me Grupin e Drenicës, e është për vitin 1998,” tha Demaku.

Demaku në procesin gjyqësor të njohur si “Drenica 2” u dënua me 3 vjet burg.

Sylejman Selimit edhe Tetë Vjet Burg në “Drenica 2”

Aktakuzën me të cilën Demaku u dënua për pronën prej 4 hektarësh e kritikoi edhe avokati i tij Ibrahim Dobruna.

“Mbetem në tërësi pranë ankesës së bërë në Gjykatën e Apelit dhe shtoj se aktakuza e prokurorisë është e paqëndrueshme pasi që asnjë dispozitë ligjore nuk obligon kryetarin e komunës të merret me çështje kadastrale. Këtu nuk ka përgjegjësi objektive, por subjektive,” tha Dobruna.

Por të kundërtën e tha Arif Hasi, mbrojtës i familjes Hasi.

“E mbështes fjalën e prokurorit, të akuzuarit janë përgjegjës për shkaktimin e veprës dhe ata ende janë në vazhdim të shkaktimit të veprës, familja Hasi ende nuk po munden ta shfrytëzojnë pronën që u takon,” tha avokati Hasi.

I akuzuari tjetër Mehdi Kurrumeli tha se është akuzuar për veprën e pabërë.

“E përkrah ankesën të cilën e ka bërë avokati im Hasan Rexha dhe jam ngarkuar për veprën penale të cilën nuk e kam bërë,” deklaroi Kurrumeli.

Pas këtyre deklarimeve seanca në Gjykatën e Apelit përfundoi, ndërsa kjo gjykatë vendimin e saj për këtë proces gjyqësor do ta marrë ditëve në vijim. [interaction id=”56f51b7f4b49b9796ce73a32″]