Foto: Ambasada e SHBA në Kosovë

Delawie: UÇK nuk ka pasur më shumë se 15 mijë pjesëtarë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha të premten se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka pasur më shumë se 15 mijë pjesëtarë.

Në një takim me juristë të rinj të mbajtur në mjediset e Pallatit të Drejtësisë, diplomati amerikanë u shpreh i habitur se si 20 vjet pas luftës, shifrat e atyre që pretendojnë që kanë marrë pjesë në luftë në vitet 1998-1999 janë rritur, në vend që të zvogëloheshin.

Ai tha se pret nga prokuroria t’i shkojë deri në fund çështjes së listave të fryra të veteranëve, të cilat tha se janë bërë barrë për buxhetin e Kosovës.

“Pres hetim të mëtejmë dhe veprime për ta eliminuar hendekun masiv ndërmjet numrit të pensioneve dhe numrit të luftëtarëve të identifikuar pas luftës. Kemi kontrolluar arkivat në Uashington, dhe Kosova asnjëherë nuk ka pretenduar se ka pasur më shumë se 15 mijë luftëtarë të UÇK-së. Është e habitshme se si numri i përfituesve, 20 vjet pas konfliktit, është rritur e nuk është zvogëluar. Kjo vërtetë nuk shkon”, tha Delawie.

Ai tha se ka parë akuzat për mashtrime të zyrtarëve publik profilit të lartë për të miratuar listat e veteranëve për individët “duke filluar nga 19 mijë prej tyre, të cilët, sipas të gjitha dëshmive, nuk do të duhej të ishin përfitues”.

“Kemi dëgjuar se disa aplikues kanë thënë hapur se kanë qenë fëmijë në kohën e luftës, ose janë përballur me probleme mjekësore që nuk kanë qenë të lidhura me luftën”, tha Delawie.

“Por një grup i zyrtarëve sidoqoftë u dha atyre përfitimet, jashtë kritereve të ligjit. Kjo është ajo që ëhstë problem këtu- vendimmarrësit në pushtet që nuk e përfillin ligjin”, tha ai.

Së dyti, duke u ndërlidhur me rastin e prokurorit të dorëhequr që po hetonte listat e veteranëve, Elez Blakaj, ai tha se ka parë “frikësime të hapura politike e institucionale” në formë të kërcënimeve dhe sulmeve personale kundër një prokurori. Këto sjellje, shtoi ai, vetëm sa e mbështesin akuzën e Blakajt për kërcënime dhe presion politik si arsye për dorëheqjen e tij.

“Deklaratat e liderëve, fatmirësisht, kanë evoluar në drejtim pozitiv në ditët e fundit duke e pranuar se ky rast duhet të vazhdojë”, tha ambasadori Delawie.

“Por ne nuk mund ta injorojmë faktin se ka pasur sjellje frikësuese. Kjo krijon një mjedis armiqësor për çdo prokuror ose gjykatës të ardhshëm i cili në fund të fundit e merr këtë rast- ose ndonjë tjetër rast të ndjeshëm politikisht- për ta çuar drejt fundit”, tha ai

“Politikanët duhet të zmbrapsen. Dhe gjyqësori duhet të ecë përpara. Tek pastaj ky rast do të bëhet storje suksesi”, tha ambasadori amerikan.