Presidenti Thaçi në Kuvendin e Kosovës - Foto: ZPRK

Debati për dialogun Kosovë - Serbi vazhdon të hënën në Kuvend

Kuvendi i Kosovës pritet që të hënën me 30 korrik të vazhdojë me seancën plenare, e cila u ndërpre të enjten, pasi u dha lajmi për vdekjen e veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

Siç ka njoftuar zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, në seancë pritet të shqyrtohen disa pika të rendit të ditës të cilat kanë mbetur pa u trajtuar nga seancat e kaluara.

Seanca pritet të vazhdojë me debatin për dialogun Kosovë-Serbi. Kujtojmë se seancën e së enjtes së kaluar pati shumë polemika në mes deputetëve, fillimisht atyre të LDK-së dhe PSD-së.

Po ashtu në rend dite janë edhe disa projektligje, si ai për mbrojtjen e të dhënave personale, ai për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Rendi i ditës

  1. Vazhdimi i debatit parlamentar për dialogun me Serbinë,
  2. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale,
  3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-065 për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme,
  4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës,
  5. Propozimi i grupeve parlamentare të AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.
  6. Shqyrtimi i Raportit vjetor i Autoritetit rregullator për ujëra për vitin 2017,
  7. Shqyrtimi i Raportit vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017,
  8. Shqyrtimi i Raportit vjetor për vitin 2017 i Autoritetit Rregulltiv të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.