Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Daka i përgjigjet presidentes Osmani pas shkarkimit nga kryesuesja e KQZ-së

Ish-kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në një konferencë për media iu është kundërpërgjigj arsyetimeve të Presidentes Vjosa Osmani në lidhje me vendimin për shkarkim.

Daka është shkarkuar nga detyra të hënën me vendim të presidentes Osmani, derisa kishte radhitur disa arsyetime të cilat lidhen me procesin zgjedhor të 14 shkurtit të këtij viti.

Për të gjitha këto arsyetime, Daka sot u kundërpërgjigj derisa shtoi se “KQZ-ja është shembull për shumë shtete të Ballkanit për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare”.

Presidentja Osmani, në vendimin për shkarkimin e Dakës, kishte përmendur mbledhjen e 22 janarit të këtij viti, ku pati tensione gjatë kohës kur po diskutohej në lidhje me certifikimin e listave politike zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Një nga kandidatët që nuk u certifikua ishte edhe kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, partner koalicioni i Vjosa Osmanit.

Mbledhja e 22 janarit, për Valdete Dakën është dështim i përmbushjes së detyrave dhe obligimeve të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike.

“Rruga ligjore e ndjekur nga unë dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së është konfirmuar nga dy institucionet që kanë shqyrtuar ankesat e këtyre kandidatëve, nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme”, tha Daka sot në konferencë për media.

Tutje në vendim të shkarkimit të Dakës, Osmani kishte përmendur edhe kushtëzimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Zonja Presidente, kjo është një e pavërtetë e madhe. KQZ-ja, me vendimin për verifikimin e aplikuesve nuk i ka mohuar askujt të drejtën për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe as për të votuar, sepse KQZ-ja i ka përfshirë në listën votuese edhe ata aplikues që nuk kishte arritur t’i kontaktonte përmes telefonit. Për më tepër, vendimi i KQZ-së nuk është marrë vetëm nga unë, por për të kanë votuar të gjithë anëtarët e KQZ-së”, i është kundërpërgjigjur Daka, Osmanit.

Në vendimin për shkarkimin e Dakës, është theksuar edhe çështja e ankesave të qytetarëve për zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Kosovë e për të cilat ankesa Osmani kishte përmendur se ka pasur vetëm një ditë kohë.

“Sa për informim të presidentes, ky legjislacion e lejon KQZ-në të përcaktojë afatet kohore për të gjitha fazat e procesit zgjedhor në përputhje me ditët që janë në dispozicion të KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve. Plani operacional, pra ku përfshihet edhe ky afat, është aprovuar nga të 11 anëtarët e KQZ-së dhe jo vetëm nga unë”, ka thënë Daka tutje.

Në ditën e zgjedhjeve sipas vendimit të Osmanit për Dakën, u përmend edhe votimi me dokumente me afat të skaduar.

“Unë personalisht kam qenë kundër këtij vendimi. Tetë anëtarë tjerë të KQZ-së e kanë mbështetur propozimin e z. Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje për të lejuar votimin e qytetarëve me dokumente me afat të skaduar”, shton tutje Daka e cila për çdo arsyetim arriti të kundërpërgjigjej.

Osmani në vendimin për shkarkimin e Dakës ka theksuar edhe ankesat për publikim të të dhënave personale.

“Presidentja kur flet për mbrojtjen e të dhënave personale, arrin në përfundime që i takojnë vetëm institucioneve të drejtësisë nëse është shkelur Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Presidentja, në asnjë rrethanë nuk mund ta luajë rolin e gjyqtares apo të ndonjë institucioni tjetër që merret me zbatimin e këtij ligji”, ishte kundërpërgjigja e Dakës ndaj vendimit të Presidentes Osmani.

Daka gjithashtu gjatë ditës së sotme përmendi edhe takimin e djeshëm me Osmanin ku konfirmoi se i ishte kërkuar që të jap dorëheqje me kusht që të marr një falënderim dhe bashkëpunim të mëtejshëm.

Një gjë të tillë e kanë mohuar nga kabineti i presidentes Osmani gjatë ditës së djeshme.

“Si dëshmitar i takimit të sotëm, e konfirmoj që Presidentja Osmani absolutisht NUK i ka ofruar znj. Valdete Daka as dekoratë, as mirënjohje presidenciale”, kishte shkruar të hënën në Facebook, këshilltari i Osmanit, Artan Murati.

Pak kohë pasi kishte shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së KQZ-së, Vjosa Osmani e ka emëruar gjyqtarin Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.