Emërohet kryetari i ri i KQZ-së pas shkarkimit të Valdete Dakës

Vetëm pak orë pas shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së, Presidentja Vjosa Osmani ka emëruar kryetarin e ri të këtij komisioni.

Në vend të Dakës do të jetë gjyqtari Kreshnik Radoniqi.

“Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, z.Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas ndërprerjes së mandatit të kryesueses së deritanishme të KQZ-së znj. Valdete Daka”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Në vendimin e presidentes Osmani, Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së. Presidentja Osmani vlerëson se veprimet e kryesueses së KQZ-së nuk duhet të jenë shkak për humbjen e besimit qytetar ndaj institucionit, në veçanti pasi sivjet do të mbahen zgjedhjet lokale

“Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar Kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Ndaj, Presidentja ka nxjerrë vendimin për lirimin nga detyra të znj. Valdete Daka, duke pasur në konsideratë vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike”, thuhet në vendim.

Kreshnik Radoniqi sipas njoftimit të zyrës së presidentes, është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Gjyqtari Radoniqi, në vitin 2006 ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA. Provimin e jurisprudencës e përfundoi me 2007.

“Radoniqi cilësohet si gjyqtar me kredibilitet të lartë profesional dhe paanshmëri në vendim-marrje. Emërimi i gjyqtarit z.Kreshnik Radoniqi si kryesues i ri i KQZ do të siguroj që integritet i KQZ nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësoj mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com raportoi për vendimin e shkarkimit të Valdete Dakës.

Vjosa Osmani shkarkoi Valdete Dakën