Darka e Liderëve pas Samitit të Berlinit, Foto: Facebook

Daçiq për samitin e Berlinit: Edhe Bosnja i bënte presion Serbisë për Kosovën

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të martën se në samitin e mbrëmshëm në Berlin, Serbia është përballur me presion nga të gjitha anët për ta njohur Kosovën.

Në një intervistë për RTS pas kthimit nga Berlini, shefi i diplomacisë serbe tha se Prishtina “po bën probleme” meqë, sipas tij, pala kosovare nuk dëshiron dialog.

“Prishtina bën probleme. Prishtina dëshiron ta vrasë dialogun. Mund të ketë takime saherë të duan, por nëse diçka nuk është në interes të Serbisë, Serbia nuk do ta pranojë atë. Nuk ka asgjë prej listës së tyre së dëshirave”, tha Daçiq.

“Ata nuk flasin për dialog, dialog për ta është vetëm që ne ta njohim Kosovën. Qëndrimi ynë është i pandryshueshëm- njohja e Kosovës është mision i pamundur”, tha Daçiq.

Madje, Daçiq tha se Serbia mbrëmë i është nënshtruar presionit edhe nga përfaqësuesi i Bosnjës e Hercegovinës, kryeministri Denis Zvizdiq.

“Të gjithë pjesëmarrësit në takim i kanë bërë presion Serbisë, madje edhe një shtet që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, Bosnja e Hercegovina, e cila është përfaqësuar nga kryetari i Këshillit të Ministrave, i cili është person tërësisht teknik në këtë rast dhe që jep vlerësime politike prapa të cilave nuk qëndrojnë faktorët politikë në Bosnjë e Hercegovinë, pra ato janë mendime të boshnjakëve.

I pyetur se në çfarë drejtimi i bëhej presion Serbisë në këtë samit, Daçiq u përgjigj: “Të gjithë mendojnë se kjo çështje është e vendosur dhe ne vetëm duhet ta njohim Kosovën”.