Burg e Gjobë për Vjedhje të Rëndë

 

Getoar Mulliqi në negociata me prokurorinë ka pranuar fajësinë në akuzën për vjedhje të rëndë por nga Gjykata Themelore në Gjakovë ai sot mori një dënim prej 3 vjet e 8 muaj burg dhe u gjobit me 500 euro.

Trupi gjykues e ka gjetur Mulliqin fajtor në akuzën për të cilën ngarkohej.

Ai akuzohej se më 18 tetor të vitit të kaluar bashkë me dy të akuzuarit tjerë Ardenis Kamberi dhe Albion Imeri kanë kryer veprën penale pasi kanë vjedhur veturën e Naim Veselajt, i cili në kët rast ishte si palë e dëmtuar, ndërsa me atë automjet kishin kryer një grabitje në pompën e benzinës “Stella” duke ia shtuar vetes edhe veprën penale të grabitjes.

Ndaj të akuzuarit Mulliqi është veçuar procedura penale pasi që dy të akuzuarit e tjerë gjenden në arrati.

“I akuzuari Getoar Mulliqi është fajtor për vjedhje të rëndë. Lidhur me këtë çështje i akuzuari dhe prokuroria kanë arritur marrëveshje dhe gjykata e ka pranuar atë kështu që sipas kushteve dhe propozimit në marrëveshje gjykata të akuzuarit i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 8 muaj si dhe dënimin gjobën prej 500 euro të cilën është i detyruar ta paguaj në afat prej 30 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, tha kryetari i trupit gjykues, Nikollë Komani.

Në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, Mulliqi kishte pranuar edhe që t’ua kompensojë dëmin të dëmtuarve.

Komani tha se gjykata ka marrë aktgjykim refuzues për veprën penalë të grabitjes pasi që prokurori kishte hequr dorë nga kjo ndjekje penale.