Pamje nga seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Brovina numëron dëmet që u shkakton fëmijëve përdorimi i pakontrolluar i internetit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga PDK, Flora Brovina gjatë debatit për sigurinë e fëmijëve për përdorimin e internetit, të iniciuar nga deputetja Teuta Haxhiu, tha se përdorimi i pakontrolluar i internetit dëmton shëndetin e fëmijëve në disa aspekte.

“Nuk u diskutua për shëndetin e fëmijëve, qasja në internet dhe përdorimi i tepërt i telefonave të mençur që nga mosha 2 vjeçare, si ndikon në shëndetin e fëmijëve dhe si ndikon në psikologjinë e fëmijëve. Përdorimi i këtyre mjeteve është sinjal se fëmijët kanë mangësi të shoqërimit me fëmijët e tjerë, shfaqin varësi emocionale e cila do të shfaqet më vonë në moshën e adoleshencës, dëmtimet e tjera që ndodhin janë edhe të natyrës mjekësore, dëmtimi të pamurit, dëmtimi i qëndrimit të boshtit të kurrizit, të gjymtyrëve, largimi i fëmijëve nga libri”, ka thënë Brovina.

Ajo më tej ka shtuar se derisa se flasim për dy kategori të fëmijëve, ku disa jetojnë në varfëri të skajshme të cilët e mendojnë ushqimin dhe kategorinë tjetër të fëmijëve të cilët mendojnë për telefonat e mençur sikur t’i kenë lodra.

“Mjetet elektronike dhe internetit ndikojnë edhe pozitivisht por nëse nuk kontrollohen dhe nuk përdoren në mënyrë të kontrolluar dëmi i shkaktuar në shëndet janë të pakthyeshme”, ka përfunduar Brovina.