International School of Pristina, Foto: ISP/Facebook

BQK Ka Pranuar Shkresë Për Ngrirjen e Llogarive të Mësimdhënësve të 'Gulistan'

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka pranuar një shkresë nga International School of Prishtina (ISP), e cila funksionon në kuadër të institucioneve arsimore “Gulistan”, për ngrirjen e llogarive bankare të mësimdhënësve të kësaj shkolle nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT).

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sot me datë 17 Prill 2018 në orët e vona të pasdites ka pranuar një shkresë nga International School of Prishtina (ISP) e cila informon BQK-në lidhur me ngrirjen e llogarive bankare nga ana e Bankës Kombëtare Tregtare të një numri të caktuar të mësimdhënësve të kësaj shkolle”, thuhet në përgjigjen e Besnik Kadës, zëdhënësit të BQK-së për KALLXO.com.

Ai më tej ka shtuar se Banka Qendrore e Kosovës pas shqyrtimit të të gjithë materialit relevant do të dalë me përgjigje për rastin në fjalë.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar se punëtorët e ISP-së, shkollë e cila funksionon në kuadër të institucioneve arsimore ‘Gulistan’ në Kosovë e që janë klientë të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) janë zgjuar sot me një SMS në telefonët e tyre me të cilët banka i njoftonte ata për mbylljen e xhirollogarive personale bankare.

Vendimi për mbylljen e xhirollogarive erdhi tri javë pasi gjashtë punëtorë të këtij institucioni privat arsimor u arrestuan në Prishtinë e Gjakovë dhe u deportuan në mënyrë misterioze për në Turqi pasi kërkoheshin nga regjimi i Ankarasë si të dyshuar për bashkëpunim me klerikun turk në ekzil, Fetullah Gulen, i cili dyshohet për puçin e dështuar ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në korrik të vitit 2016.

International School of Prishtina (ISP) është hapur në vitin 2002 në lagjen “Velania” në Prishtinë në ambientet e Kolegjit “Mehmet Akif”, i cili ishte gjithashtu në lagjen “Velania”.

Në vitin shkollor 2011-2012 ISP ka kaluar në ndërtesën e vet në “Rezidencën Marigona”.

ISP-ja ka kopshtin e fëmijëve, shkollën fillore (klasat 1-5) dhe shkollën e mesme (6-9).