Bosnja Akuzon ish-Anëtarin e Presidencës për Krime Lufte

Prokuroria shtetërore të enjten akuzoi Paravaçin, i cili ishte anëtari serb i presidencës tripalëshe të Bosnjës midis vitit 2003 dhe 2005, për përfshirje në një sulm të gjerë dhe sistematik nga ana e policisë serbe, grupeve ushtarake dhe paraushtarake mbi boshnjakët dhe kroatët në Doboj dhe Teslic.

Paravaç, së bashku me Milan Ninkoviqin, Andrija Bjeloseviqin dhe Milan Saviqin, u akuzuan për pjesëmarrje në vrasjen e disa qindra boshnjakëve dhe kroatëve gjatë sulmit.

Sipas prokurorisë boshnjake, Paravaç ishte president i Komitetit të Krizës në Doboj gjatë kohës së luftës , ndërsa Ninkoviq ishte anëtar i komitetit, Bjeloseviq ishte shefi i policisë në Doboj dhe Saviq zëvendës i tij.

“Të pandehurit akuzohen për organizim të sulmeve policore, ushtarake dhe paraushtarake në fshatrat dhe zonat ku jetonin boshnjakët dhe kroatët, gjatë të cilave civilë u vranë dhe u kapën dhe shumë prej tyre u çuan në kampet në Doboj, ku ata u keqtrajtuan,” tha prokuroria në një deklaratë.

Prokuroria tha se disa mijëra boshnjakë dhe kroatë u arrestuan dhe abuzuan në kampet që drejtoheshin nga serbët.

Paravaç dhe të tjerët janë akuzuar gjithashtu për shkatërrim të ndërtesave fetare myslimane dhe katolike.

“Të katër burrat akuzohen për pjesëmarrje në shkatërrimin e objekteve fetare dhe kulturore në Doboj, Teslic dhe zonën përreth të cilat përdoreshin nga boshnjakët dhe kroatët,” tha prokuroria.

Prokuroria tha se me ngritjen e kësaj aktakuze për krime lufte në Teslic dhe Doboj, ajo tani ka përfunduar hetimet në të gjitha çështjet që u transferuan në Sarajevë nga gjykata e krimeve të luftës e OKB-së në Hagë.

“Ky sukses plotëson premtimin e dhënë nga kryeprokurori Goran Salihoviq se të gjitha çështjet e Hagës do të përfundojnë deri në fund të këtij viti,” tha prokuroria.

Gjatë vizitës së tij në Sarajevë në tetor, kryeprokurori i Gjykatës së Hagës Serge Brammertz paralajmëroi prokurorinë boshnjake se ai do të paraqesë një raport negativ në Kombet e Bashkuara nëse të gjitha çështjet e transferuara nga gjykata e Hagës nuk përfundohen deri në fund të vitit.

Prokuroria boshnjake ngriti tri akuza të tjera të enjten.

Milenko Karlica u akuzua për pjesëmarrje në vrasjen e 20 civilëve boshnjakë nga fshatrat Ekici, Alici dhe Maslovare pranë Bosanski Novi nga maji deri në shtator 1992, ndërsa ish-luftëtari kroat i Bosnjës Zdravko Mariniq u akuzua për vrasje, ndalim të paligjshëm dhe abuzimin e serbëve në Bosanski Novi në vitin 1992.

Mariniq dhe Karlica banojnë respektivisht në Kroaci dhe Serbi dhe janë në dispozicion të prokurorisë boshnjake.

Shtatë luftëtarë serbë të Bosnjës –  Drago Predojeviq, dy burra të quajtur Ranko Dosenoviq, Dragutin Vuksa, Bosko dhe Simo Curguz dhe Miroslav Paniq, u akuzuan për abuzim të civilëve boshnjakë në Sanski Most në korrik 1992.

Të gjitha aktakuzat janë dërguar në gjykatën shtetërore për konfirmim.

Prokuroria tha gjithashtu se ky kishte qenë viti i saj më i suksesshëm në punën në çështjet e krimeve të luftës, me 59 aktakuza të ngritura kundër 135 personave.

“Cilësia e lartë e punës është bërë e qartë nga fakti që ne kemi mbaruar çështjet nga Haga dhe nga të dhënat se në 80 përqind të rasteve ne kemi pasur dënime,” tha ajo.