Takimi Berisha- Shekerinska-Jankovska | Foto: KALLXO.com

Berisha: Si MFSK synojmë Anëtarësimin në NATO

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha tha sot se Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, synon që të antarësohet në NATO.

“Ne si Ministri e FSK synojmë dhe synimi ynë është anëtarësimi dhe integrimi  në NATO. Në kuadër të saj sa i përket bashkëpunimit rajonal, jemi të interesuar që të avancojmë bashkëpunimin me vende që janë pjesë e  NATO-s dhe atyre vendeve që dëshirojnë të jenë në NATO. Jam më se i bindur se bashkëpunimi që kemi tani do të forcohet edhe më shumë”, tha Berisha.

Gjatë takimit të tij me ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmila Shekerinska- Jankovska, ai ka biseduar me këtë të fundit për objektivat e FSK-së.

“Takimi ishte shumë miqësor, shfrytëzova rastin ta përgëzoj ministren për pritjen që na ka bërë në ‘Eagle 6’.  E njoftova ministren për objektivat dhe të arriturat që i kemi. Po ashtu e informova për bashkëpunimin tonë që kemi me Maqedoninë. E njoftova për punën që bëjmë, stërvitjet që mbajmë. Biseduam edhe për çështjet e planit bilateral, i cili do të nënshkruhet muajin tjetër”, tha Berisha.

Ai shtoi se ka njoftuar ministren Jankovska për procesin e transformimit të FSK-së dhe kapacitetet që ka për të kontribuuar.

Ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë Radmila Shekerinska- Jankovska, tha se kishte kënaqësinë që ishte në Prishtinë.

Sipas saj takimi ishte dëshmi se sa janë të interesuara dy vendet si Kosova dhe Maqedonia të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Është dëshmi se sa këto dy qeveri janë të interesuara për marrëdhënie të mira fqinjësore. Kjo tregon se sa e mirëpritëm ne pjesëmarrjen e ministrit Berisha në ‘Eagle 6’ dhe këtë do të tregojmë edhe në takimin këtë vit mes dy qeverive”, tha Jankovska.

Sipas saj, plani i Maqedonisë dhe i Kosovës është që bashkëpunimi të vazhdojë edhe më tutje.

“Maqedonia para disa kohësh u bë anëtare e programit të NATO-s që është për përparimin ushtarak dhe përmes atij programi do të përshtatim akademinë tonë me standardin më të lartë të NATO-s ashtu që të gjithë kadetëve të rajonit t’u ofrojmë një arsimim ushtarak sipas standardeve të larta të NATO-s”, tha Shekerinska-Jankovska.

Gjatë konferencës, ministri Berisha u pyet edhe për inkuadrimin e serbëve në FSK.

Ai tha se janë 34 serbë në FSK dhe ka filluar trajnimi i tyre.

“Në komunitetin joshumicë kemi rekrutuar 34 serbë. Ata kanë filluar trajnimin dhe po integrohen shumë mirë janë të kënaqur me fillimin e trajnimeve, po ashtu janë duke e ndjerë veten të barabartë”, tha Berisha.