My beautiful picture

Beogradi i vë Rrugës Emrin e Aleatit të Millosheviqit

Qyteti i Beogradit vendosi javën e kaluar se një rrugë në komunën Vracar të qytetit duhet të marrë emrin Crnceviq, një shkrimtar i shquar, i njohur për idetë e tij nacionaliste dhe mbështetjen për liderët e luftës si Millosheviqi dhe Karaxhiqi.

“Brana Crnceviq ishte një lojtar dhe dëshmitar në ngjarje të mëdha sociale, politike dhe historike,” tha qyteti në një deklaratë.

Crnceviq, i cili vdiq në vitin 2011, ishte një bashkëthemelues i Partisë Progresive Serbe së bashku me kryeministrin aktual Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq e propozoi idenë e emërtimit të rrugës pas Crnceviqit në qershor, duke thënë se pesë vjet pas vdekjes së tij, rëndësia e tij për historinë dhe kulturën serbe është e padiskutueshme.

“Ai ishte një bashkëbisedues me autoritet, një bashkëpunëtor i rastit dhe padyshim një mik i rëndësishëm bashkëkohor i disa njerëzve të rëndësishëm dhe të pushtetshëm – burra shteti, politikanë dhe liderë partish që formësuan historinë moderne serbe,” shkroi ai në një artikull për gazetën Vecernje Novosti në atë kohë.

Crnceviq fitoi famë dhe lavdi për letërsinë e tij, kryesisht për stilin e tij të butë në librat për fëmijë, të cilët janë lexuar gjerësisht dhe i dhanë atij një çmim në vitin 1987. Aforizmave e tij u vlerësuan për ironinë e tyre të mprehtë në trajtimin e çështjeve bashkëkohore.

Por ai fitoi famë në sferën politike me qëndrimin e tij nacionalist dhe lidhjet e ngushta me figura polemike si Millosheviqi, ish-lideri serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq dhe kryetari i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli.

Si shumë shkrimtarë të tjerë serbë, Crnceviq përqafoi nacionalizmin pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989.

Ai u afrua shumë me presidentin Millosheviq, duke mbështetur armatosjen e rebelëve serbë të Kroacisë gjatë luftës së vitit 1991-1995.

Crncevic mbështeti gjithashtu politikat nacionaliste të Karaxhiqit, i cili u dënua për gjenocid në Gjykatën e Hagës këtë vit për organizimin e masakrave të më shumë se 7.000 boshnjakëve nga Srebrenica.

Në vitin 1994, Crnceviq tha në një artikull që shkroi për gazetën Politika se “serbët nuk kanë kriminelë lufte”.

Në kulmin e luftës, Crnceviq mbajti anën e Karaxhiqit në një mosmarrëveshje me Millosheviqin.

“Në vitet 1990 besoja te Millosheviqi,” tha ai në një intervistë. “Por pasi ai u nda me serbët në Bosnjë, edhe unë humba kontakt me të.”

Pas përfundimit të luftës në Bosnjës, Crnveviq në vitin 1996 iu bashkua një grupi nacionalistësh të famshëm që bënin fushatë për Karaxhiqin dhe publikisht mbrojtën politikanin e arratisur kundër akuzave për gjenocid të ngritura nga Gjykata e OKB-së në Hagë.

‘Ndonjëherë merrja letra nga Radovani në kutinë time postare. Ishin letra miqësore, por pa ndonjë të dhënë se ku ndodhej ai. Edhe pse fshihej, ai ishte më i lirë sesa ne. Ne po jetojmë nën një qeveri që është tradhtare ndaj popullit të saj,” tha Crnceviq.

Për pak kohë, ai ishte anëtar i Partisë Radikale Serbe, lideri i të cilës, Shesheli, u lirua nga akuzat për krime lufte nga Gjykata e Hagës.

Pasi u largua nga Partia Radikale, ai iu bashkua dy ish-anëtarëve të tjerë, Vuçiqit dhe Tomislav Nikoliqit, në themelimin e Partisë Progresive.