Fshati Plemetin - Obiliq

Banorët e Plemetinit kundërshtojnë ndërtimin e shtëpive për të kthyerit nga Maqedonia

Plemetini gjendet rreth 4 kilometra larg Obiliqit, fshat në të cilin ka vite që ka filluar kthimi i komuniteteve pakicë, të larguar gjatë luftës së fundit nga Kosova.

Shumica i përkasin komunitetit rom, ndërsa banorët vendas të Plemetinit ku jetojnë shqiptarë, rom dhe serbë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë.

Ndërtimi i këtyre shtëpive është financuar nga Ministria për Kthim dhe Komunitete (MKK), dhe organizatat ndërkombëtare.  Shtëpitë janë ndërtuar për romët që kanë ikur gjatë luftës në Maqedoninë Veriore.

Hamdi Bajrami i cili së bashku me familje u kthye nga Maqedonia Veriore në vitin 2016, i është ndërtuar shtëpia në fshatin Plemetin. Ai thotë se është rikthyer në Kosovë për shkak se u janë premtuar kushte më të mira për jetesë.

“Erdhëm këtu, këta kanë qenë edhe në Maqedoni dhe kemi bisedu, vetë ato kushte çka i kanë premtu në Maqedoni, ato nuk janë plotësu këtu. Ne i kemi lyp disa gjana elementare të jetës, çka na duhen për një familje. Me qito premtime, qito gjana elementare çka janë, rrugën me na e ndreq e kemi lyp, ujësjellësi me qenë edhe rryma, qito të trija gjanat elementare për jetë, kush e din qito janë”, tha Bajrami.

Ai ka thënë se janë gjithsej 16 familje të cilat janë vendosur në vitin 2016 në këtë fshat, ndërsa në Maqedoni kanë jetuar në lagjen e “Shuto Rizares”, që është rreth 3 kilometra larg Shkupit.

Zëdhënësi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Uros Staletoviç, në një përgjigje për KALLXO.COM, ka thënë se kjo ministri ka vepruar në përputhje me ligjin dhe se e drejta e kthimit i jepet të gjithë personave të zhvendosur që dëshirojnë të kthehen në Kosovë.

“Familjet të cilët janë kthyer nga Maqedonia të cilëve iu janë ndërtuar shtëpitë në Plemetin nga ana e projektit të Ministrisë dhe Bashkimit Evropian, ku përmes këtij projekti është blerë toka dhe për këtë arsye aty janë ndërtuar edhe shtëpi në tokën e tyre në Plemetin”, ka thënë Staletoviç.

Sipas tij, ka arsye të ndryshme për kthimin e tyre, si dëshira për të gjetur një zgjidhje të përhershme për familjet që jetojnë në kushte shumë të këqija, në një vendbanim informal në banesa kolektive me qira.

Daut Mustafa është banor i Plemetinit, i komunitetit rom. Ai ka thënë se nuk është kundër romëve të ardhur në fshatin e tij, por sipas tij ata që kanë ikur nga Kosova, duhet të kthehen në vendet nga kanë ikur në kohën e luftës.

“Na nuk jemi kundër romëve, po ai që është prej Obiliqit, të shkon në vend të vet. Edhe këta që janë të huaj janë të Obiliqit, të Mitrovicës. Tash Kosova është e lirë, s`ka çka të tuten, le të kthehen në vend të vet. Qe unë jam i Plementinit dhe në vend temin po rri”, ka thënë Mustafa.

Ai ka treguar se banorët vendas të fshatit e kanë bërë një peticion që të mos lejohet ndërtimi i shtëpive për njerëzit nga vendet tjera, dhe këtë peticion e kanë nënshkruar të gjitha komunitetet.

“Na e kemi bo peticionin, kanë nënshkru shqiptarë, edhe serbët e kanë nënshkru. Në komunë na kanë premtu mirë, por qitash u mbet puna që i sjellin edhe këta tjerët, na kemi me u paku edhe po dalim diku. Po thonë që kanë me pru hala të tjerë. Po thonë që ja 100 shtëpi, prej Maqedonisë. Mirë u kon mos me na pru ata, mos me na bo problem neve”, ka thënë Mustafa.

Nënkryetari i komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi, për KALLXO.COM, ka thënë se ndërtimi i shtëpive të tjera do të vazhdojë sipas nevojës dhe duke u bazuar në ligjet të cilat e rregullojnë çështjen e banimit.

“Shtëpitë do të ndërtohen sigurisht edhe më tutje duke u bazuar në nevoja dhe duke u bazuar në ligjet të cilat e rregullojnë çështjen e banimit dhe të pajisjes me leje ndërtimore, por pa leje nuk do të ndërtohen, duke respektuar procedurat për ndërtim. Ka pas reagime nga ana e banorëve të fshatit dhe janë marrë për bazë këto reagime, por disa banorë të këtyre familje i kanë shitur pronat dhe më pastaj shtëpitë janë ndërtuar”, ka deklaruar Mjekiqi.

Në peticionin që e ka siguruar KALLXO.COM, atë e kanë nënshkruar rreth 260 banorë të Plemetinit, ku përfshihen shqiptarë, rom dhe serbë, ndërsa është iniciuar në maj të vitit 2015.

Peticioni
Peticioni
Peticioni